Gazeta Si - Një 51-vjeçar u arrestua këtë të mërkurë në Vlorë, pasi i janë gjetur në kroskotin e automjetit, 4 mina me eksploziv C4.
Në pranga ka rënë Petrit Ndoji, 51-vjeç, banues në Lezhë, të cilit ju gjetën 4 minat në kroskotin e makinës tip ‘Ford Fiesta’ me të cilën po udhëtonte në rrugën ‘Gjergj Kastrioti’.
Policia thotë se minat ishin të programuara për shpërthim në distancë të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore.
Policia ka dyshimet se minat do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.
Ndërkohë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e këtij shtetasi.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka përshëndetur menjëherë aksionin strukturave të policisë së Vlorës, të cilat neutralizuan një grup të rrezikshëm kriminal, i cili dyshohet se kishte në plan akte të rënda kriminale dhe terroriste, përmes përdorimit të lëndëve plasëse.
“Policia e Shtetit ka goditur një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë, duke parandaluar kështu ngjarje të rënda kriminale dhe terrori, për shkak të përdorimit të lëndëve plasëse”.
Gjithashtu Ministri Balla ka vlerësuar angazhimin e strukturave të policisë së Vlorës, në parandalimin, zbulimin dhe neutralizimin e akteve kriminale dhe për kapjen e autorëve të tyre.
“Kam besim se Policia e Vlorës do të bëjë detyrën edhe në zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të reja dhe më të vjetra për vendosjen para drejtësisë të personave të dyshuar,” – shprehet Ministri i Brendshëm në statusin e tij përgëzues për policinë e Vlorës.
Balla thekson gjithashtu se “qytetarët presin më shumë prej nesh”, duke nënkuptuar angazhimin e të gjitha strukturave të tjera në luftën kundër fenomeneve të krimit në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.