Gazeta Si – Një tragjedi është shmangur mesditën e kësaj të shtune në aksin rrugor Korçë-Bilisht në një pikë karburanti.
Sipas policisë drejtuesi i mjetit së bashku me të birin kanë hyrë në pikën e karburantit për të furnizuar mjetin e tyre me gaz, por në momentin që mjeti furnizohej, drejtuesi i mjetit ka ndezur një cigare duke shkelur rëndë rregullat e furnizimit, duke shkaktuar përfshirjen e mjetit nga flakët.
Kanë qenë persona të tjerë, përfshi dhe punojës të karburantit që e kanë shtyrë mjetin në anën tjetër të rrugës duke e hedhur në kanal për të shmangur kështu një ngjarje shumë më të rëndë.
Muharrem Orhan, 72 vjeç nga fshati Rëmbec i bashkisë së Maliqit për shkak të djegieve të shumta është dërguar me urgjencë drejt repartit të djegieve dhe plastikës në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet.
Ndërsa i biri, Dorjan Orhan, 35 vjeç, sipas burimeve pranë spitalit rajonal të Korçës ndodhet në reaminacionin e këtij spitali.
Burime të sigurta thanë se në momentin kur punojësit e karburantit e kanë shtyrë mjetin në anën tjetër të rrugës për të mos patur situatë më të rëndë në karburant, 72-vjeçari ka pasur të vendosur rripin e sigurimit, çka e ka pasur të vështirë për të dalë në kohën e duhur nga mjeti i përfshirë nga flakët, ndërkohë që djali i tij ka arritur të dalë në kohë nga mjeti. Policia po heton për shkaqet e përfshirjes së mjetit nga flakët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



