Gazeta Si - Ka marrë përmasa edhe më të mëdha sherri mes Princit Leka dhe Elia Zaharisë, që ka degraduar në dhunë fizike.
Në videon e publikuar, shihet teksa Elia Zaharia debaton me Princ Lekën duke e akuzuar se i ka rrahur babanë. Ajo hedh një sërë akuzash, teksa Princ Leka filmon.
Është Princ Leka ai që mban telefonin duke filmuar konfliktin mes tyre, ku i pranishëm është edhe Shefi i Administratës së Oborrit, Syl Mulosmanaj.
Elia Zaharia i “hakërrehet” Princit, duke i thënë se ai ka dhunuar babain e saj të moshuar e që e ka mbajtur me bukë.
Ndërkohë ky i fundit tenton të largohet nga ambientet e Oborrit Mbretëror, duke i thënë “Mos më prek!”
Ish-bashkëshortja e tij e godet disa herë me duar dhe e kap nga xhupi, duke e cilësuar si “njeri pa shkollë e me diploma të falsifikuara.”
Debati mes tyre:
Elia Zaharia-Princ Lekës: Ti të më prekësh me dorë prindin tim që të ka mbajtur me bukë? Ti të më prekësh babin tim?! I ke gjuajtur babit?
Syl Mulosmanaj: Elia, Elia…
Princ Leka: Ik, nuk kam prekur asnjë gjë! Mos më prek!
Elia Zaharia: I ke gjuajtur babit tim 70 vjeç! (E godet me dorë)
Syl Mulosmanaj: Elia!!
Elia Zaharia: I ke gjuajtur babit tim! Ke prekur me dorë prindin tim…(tenton t’i marrë telefonin) Unë do të çoj në gjyq ty, mos më bëj viktimën. Diplomat i ke falsifikuar! (Tenton ta godasë sërish Princ Lekën, ndërhyn Mulosmanaj) Ti i ke thënë shtetit shqiptar që ke shkollë, ti s’ke shkollë! Je pa shkollë, ke vetëm 4 klasë shkollë!
Ngjarja u raportua mesditën e kësaj të mërkure, ku të dyja palët kanë kryer kallëzime në polici dhe kanë kërkuar urdhër mbrojtjeje. Ata po hetohen për “dhunë në familje”.
Ishte Princ Leka ai që në dëshminë e tij ka thënë se shkoi të takonte të bijën 3 vjeçare dhe u sulmua fizikisht nga ish-vjehrri.
Ndërsa ky i fundit është shprehur se ai nuk ka forcë ta godasë një “burrë dy metra”, duke shtuar se ishte Princi ai që e nisi konfrontimin fizik.
Çifti e njoftoi ndarjen në rrjetet sociale rreth dy muaj më pare, duke deklaruar se janë në proces divorci.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.