Ka ndodhur

Video/ Goditet grupi që kultivonte kanabis në Vlorë, njëri tenton të fshihet në shkurre

Një grup prej tre personash që kultivonin bimë narkotike në zonën e Otimës në Selenicë të Vlorës, është shkatërruar gjatë një aksioni të Policisë së Vlorës, Forcave RENEA dhe Forcës së Posaçme Operacionale.

Tre persona janë arrestuar, njëri prej të cilëve me precedent penal. Ata janë Ferdinant Llanaj 43 vjeç person me precedent penalë, Dritan Begaj 54 vjeç dhe Ergi Cura 21 vjeç.

Gjatë aksionit të policisë për arrestimin e tyre, shihet se si njëri nga kultivuesit tenton t’i shpëtojë arrestimit, duke u fshehur nëpër shkurre. Por droni i Policisë së Shtetit kishte gjurmuar çdo lëvizje të tij.

Të tre këta persona kishin kultivuar një sasi të madhe bimësh narkotike kanabis në ambientet e banesës së 43-vjeçarit Llanaj dhe përreth një objekti tjetër gjithashtu në pronësi të tij pranë Përroit të Otimës. Policia sekuestroi një sasi kanabisi, si dhe 4 automjete dy prej të cilave të blinduara, 6 celularë dhe një shumë parash.

Vëllai i autori të vrasjes së trefishtë në Vlorë

Ferdinant Llanaj 43 vjeç, i njohur edhe me pseudonimin Robi, është vëllai i autorit të masakrës së Vlorës në vitin 2015, ku u vranë 3 persona.

Ai i ka shpëtuar mrekullisht një atentati në vitin 2017, ku mbeti i plagosur. Ai ishte së bashku me djalin e tij të mitur dhe një person tjetër në rrugën Transballkanike në Vlorë kur u qëllua me breshëri arme.

Nga të shtënat u plagos lehtë edhe djali i mitur i Llanajt. Vetë ky i fundit u plagos gjithashtu, por dhe iu kundërpërgjigj me armë atentatorëve.

Pas ngjarjes, Llanaj u arrestua nga policia për armëmbajtje pa leje. Ngjarja 4 vite më parë dyshohet se ndodhi si pasojë e zinxhirit të hakmarrjeve.

Në vitin 2015 u shënua ajo që konsiderohet si masakra e Çoles në Vlorë. Vëllai i Ferdinant Llanajt, Aleksandër Llanaj dhe miqtë e tij vranë 3 persona në një lokal në lagjen Çole.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë