Gazeta Si - Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, me një përgjigje gjithëpërfshirëse shpjegoi lidhjet e tij me ish-ministrat Mediu, Bumçi dhe biznesmenin Delijorgji dhe marrëdhëniet që ka pasur me ta në lidhje me dosjen "Gërdeci".
Shkëlzen Berisha insiston se është mik me ish-ministrat në fjalë dhe telefonatat që ka pasur me Mediun pas shpërthimit në Gërdec, kanë qenë për çështje personale. Ndërkohë për Mihal Delijorgjin, shpjegon se e ka njohur si biznesmen.
LEXO EDHE:
- Ish-ministri Aldo Bumçi dëshmon në SPAK për ‘Gërdecin’: Shkresa për Shkëlzen Berishën, e falsifikuar
- Shkëlzen Berisha mohon akuzat në SPAK për 'Gërdecin': Në Ministrinë e Drejtësisë takoja miq, s'kam lidhje me shkresën e Bumçit (video)
Shkëlzen Berisha ka deklaruar se politizimi i çështjes së Gërdecit, nuk ka ndihmuar në kërto 15 vite për zgjidhjen e saj.
Telefonatat me Mediun dhe Bumçin
Pas daljes nga GJKKO, ku dëshmoi për herë të parë në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ai tha se ky është teatër politik.
“Për ta specifikuar, telefonatat me Delijorgjin janë nisur pas vitit 2008, nuk ka pasur asnjë lidhje me çështjen në fjalë, puna ka nisur që në 2007 në Gërdec. E vetmja telefonatë ka qenë për të ndjerin për të mësuar për fatin e tij. Të gjitha takimet me Mediun dhe Bumçin për çështje personale. Zoti Delijorgji ka qenë sipërmarrës dhe kjo është mënyra si e kam njohur unë. Kam qenë i qartë nuk kam nisur asnjë faks, nuk e njoh atë që e ka nisur, atë që e ka pritur, ta faktojë prokuroria. Bumçin dhe Mediun i kam miq edhe përpara se të ishin ministra edhe sot. Kam diskutuar për një çështje të tij personale”, tha ai.
Sipas SPAK, Berisha ka pasur 5 telefonata me ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ai justifikoi se ka qenë jashtë Shqipërisë, prandaj kishte komunikuar me Mediun atë ditë.
Kontaktet me Mihal Delijorgjin
Ndërsa 44 herë kishte folur me Mihal Delijorgjin. Berisha ka pranuar se kishte dijeni për aktivitetin, por nuk e dinte se ku kryhej ky aktivitet.
"Fakti që kam telefonuar Delijorgjin kishte të bënte me bashkëshortin e tezes. Mihal Delijorgji nuk kishte dijeni për fatin e të ndjerit" ka thënë në gjykatë.
I pyetur edhe për telefonatat me Mihal Delijorgjin, Shkëlzen Berisha se të gjitha telefonatat janë kryer pas vitit 2008 dhe s’kanë pasur lidhje me Gërdecin.
“44 telefonata me Delijorgjin. Për ta specifikuar, të gjitha telefonatat janë kryer pas vitit 2008. Praktika dhe puna në atë punishte ka nisur që në 2007. Nuk ka pasur asnjë lidhje me çështjen në fjalë. Delijorgji përveç se ka qenë i përfshirë në këtë çështje, ka qenë edhe sipërmarrës ndërtimi dhe kjo është mënyra si e kam njohur unë”.
Në mbrojtje të babait
Shkëlzen Berisha foli dhe për masën e sigurisë që pritet të jepet për babain e tij në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Pasi akuzoi prokurorinë se po përdoret politikisht në nivele groteske, Shkëlzen Berisha bëri një krahasim me ish-presidentin amerikan Donald Trump, për të cilin tha që edhe pse ka 34 akuza, nuk është vendosur asnjë masë sigurie, ndërkohë që për babain e tij po ndodh e kundërta ndonëse ende pa asnjë akuzë.
“Përdorimi politik i prokurorisë ka kapur nivele groteske. Më thoni një vend që kreu i opozitës mbahet në arrest shtëpie, ndërkohë që nuk ka akuzë. Donald Trump ka 34 akuza dhe asnjë masë sigurie. Masat e sigurisë në mungesë ndaj një lideri opozite që të mos takojë familjarët, groteske”, u shpreh Shkëlzen Berisha.
Faksi "Për Shkëlzenin"
Thirrja e Shkëlzen Berishës në GJKKO, lidhet me faksin që ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, dyshohet se i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës, Fatmir Mediu me shënimin “Për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë.
Faksi i vitit 2007, ku ishte shënuar emri i Shkëlzen Berishës, dyshohet se ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec.
Në shtator të këtij viti, Prokuroria e Posaçme thirri 52 dëshmitarë në gjyqin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut.
Dëshmon edhe Fatmir Mediu: Kjo është thjesht një lojë mediatike
Edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka përfunduar dëshminë e tij këtë të mërkurë pranë Gjykatës së Posaçme në lidhje me çështjen “Gërdeci”.
Ai shprehet se ky proces tashmë po shndërrohet në një lojë mediatike dhe nuk po i shërben të vërtetës. Interesi për t’i shkuar të vërtetës deri në fund, mungon sipas ish-ministrit.
Ndërsa, i pyetur nëse ishte e domosdoshme dëshmia e Shkëlzen Berishës, Mediu thotë se nuk ekziston një raport mes tyre për këtë proces.
“U duk qartë dhe nga dëshmia e Shkëlzen Berishës se ai nuk ka lidhje me Fatmir Mediun. Asnjë marrëdhënie në raport me këtë proces. Këto janë insinuata të qëllimshme që janë ngritur dhe Prokuroria e di”, tha Mediu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.