Drejtësia

‘Gërdeci’ shtyhet sërish, SPAK kërkon dëshminë e Mediut dhe ish-sekretares së Bumçit. Ish-ministri: Gati të ballafaqohem me çdo ushtarak

Gazeta Si - SPAK ka kërkuar marrjen në pyetje të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për dosjen “Gërdeci”, ndërsa vendosi të shtyjë seancën e radhës për dëshmitarët në 21 shkurt.

Prokurori i SPAK kërkoi në seancën e radhës se nëse do të jetë gati, mund të pyetet edhe Mediu në cilësinë e të pandehurit.

Në përfundim të seancës vetë ish-ministri Mediu u shpreh i hapur për hetimet dhe bëri thirrje që të vijnë të dëshmojnë personat e kërkuar në proces.

"Ballafaqimi është kërkuar nga prokuroria. Unë e kam kërkuar ballafaqimin me çdo ushtarak. Besoj se kjo është gjëja më e mirë. Ministri i Mbrojtjes ka detyrat dhe autoritetin e vetë, shefi i shtabit ka detyrën e vetë", - tha Mediu.

Ai shtoi se ka pritur  16 vite që të merret në pyetje nga Prokuroria, por kjo e fundit nuk e ka thirrur.

“Secili të vijë e të mbajë qëndrim mbi punën e ministrisë. Mos zgjedhin heshtjen sepse me dëshmitë duhet të hidhen dritë. Do konsultohem me avokatët, kam pritur mbi 16 vite që të pyetem nga prokuroria, por nuk ka denjuar të më pyesë mbi çështjen”, u shpreh ai.

Në seancën gjyqësore këtë të mërkurë, në listën e dëshmitarëve ishte edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i cili ndodhet në Amerikë dhe nuk ishte i pranishëm në seancë.

Po ashtu, SPAK i kërkoi gjykatës të gjendet Anjola Agolli, Sekretare e ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, me pretendimin se nga zyra e saj ka dalë dhe shkresa për djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.

Agolli nuk është gjetur megjithëse SPAK ka vënë më dispozicion një adresë të re të saj.

Ndërkohë u përsërit thirrja për të bashkëpandehurit e tjerë, mes tyre Luan Hoxha, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji, të cilët nuk janë gjetur në adresat e deritanishme të çuara në gjykata.

Gjykata informoi se Ministria e Drejtësisë ka dërguar letër-porosinë në SHBA për të marrë në pyetje Patrick Henry dhe përfaqësuesit e kompanisë SAC.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë