Lojëra me Dore

Video/ Gjokoviç përjashtohet nga “Us Open”, goditi me top një gjyqtare

Një epsido i rrallë në tenis. Gjatë ndeshjes së fazës së 1/8-ve të “Us Open” ndaj Carreno Busta, numri 1 i botës, Novak Gjokoviç, goditi me top në kokë një gjyqtare linje, e cila u rrëzua në tokë dhe pati vështirësi në frymëmarrje. Përjashtim i menjëhershëm i tenistit serb, sipas rregullores.

Novak Gjokoviç është jashtë turneut ku ishte favoriti kryesor. Skualifikim i menjëhershëm për një veprim, hijet e të cilit do ta shoqërojnë gjithë jetën, edhe pse e bëri në mënyrë të pavullnetshme. Ai ishte duke gjuajtur një top drejt tabelave, por qëlloi gjyqtaren në gejmin e 11-të të setit të parë. Gjokoviç ishte pak nervoz, pasi humbi tre mundësi për të fituar setin. Në momentin e ndërrimit të fushës, ai gjuajti topin me raketë, pa parë se ku po e çonte.

https://youtu.be/HunYyFGZL7w
Momenti kur Gjokoviç godet gjyqtaren. Gazeta Si, 6 shtator 2020

Gjyqtarja e linjës u rrëzua në tokë dhe pati vështirësi në frymëmarrje. Pas disa sekondash dhe ndjesës së serbit ndaj gjyqtares, hynë në fushë drejtori i turneut dhe supervizori, zvicerani Egli, për t’i komunikuar tenistit të vetmin vendim të rregullores për raste të tilla: përjashtimin nga turneu.

Novak Gjokoviç tentoi të mbrohej, më shumë për inerci, por më pas i shtrëngoi dorën kundërshtarit dhe u largua nga fusha me kokën ulur. Deri tani, për vitin 2020 ai kishte 26 fitore në 26 ndeshje. Dhe zgjodhi mënyrën më të keqe për humbjen e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë