Pamje të turpshme në Pallatin e Sportit të Durrësit, “Ramazan Njala”. Dhunë barbare ndaj arbitrit të ndeshjes së basketbollit për meshkuj, Teuta-Tirana, jo nga tifozët, por nga një sportist. Bruno Daliu i Tiranës i është vërsulur me grushte arbitrit Jurgen Muho, duke e hedhur në tokë të gjakosur, siç e tregojmë edhe pamjet filmike. Një skenë vërtet e frikshme dhune. Një sjellje skandaloze nga një sportist, i cili ka irrituar tifozët në sallë që e kanë sharë në kor. Në këtë moment ndeshja është ndërprerë.
Basketbollisti i Tiranës është arrestuar nga Policia e Durrësit. Me ndryshimet e bëra në Kodin Penal, Daliu rrezikon deri në 5 vjet burg. Saktësisht, në Nenin 274/a për “Goditjen e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv”, thuhet: “Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Durrësti për këtë ngjarje, thuhet: “Arrestohet në flagrancë një 34-vjeçar për veprën penale "Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit e ndërmjetësit sportiv". Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, arrestuan ne flagrancë shtetasin: Bruno Daliu, 34 vjeç, banues në Tiranë pasi gjatë ndeshjes së basketbollit Teuta-Tirana, zhvilluar në Pallatin e Sportit "Ramazan Njala", ka goditur me grushte gjyqtarin e ndeshjes, Jurgen Muho.,26 vjeç, banues në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme”.
Kush është Bruno Daliu?
Basketbollisti i Tiranës është 34 vjeç dhe karrierën e ka të lidhur kryesisht me këtë klub, edhe pse ka dalë nga Partizani si sportist. Më parë ai ka qenë pjesë edhe e Kombëtares shqiptare të basketbollit të meshkujve. Nuk është se më parë ka qenë protagonist i sjelljeve të tilla agresive në fushë dhe ngjarja e së shtunës në mbrëmje mund të jetë një episod i shkëputur, pro asgjë nuk e justifikon atë veprim. Daliu u është bindur me qetësi forcave të policisë në momentin e arrestimit, pasi e ka kuptuar se kishte kaluar çdo limit. Shokët e ekipit u munduan ta qetësonin dhe pretendimi i tyre ishte se Daliu ishte provokuar nga arbitri Muho.
Kishin kaluar rreth 30 minuta, kur basketbollisti i Tiranës u shoqërua në Komisariatin e Durrësit, ndërsa ndeshja vazhdoi dhe u mbyll me fitoren e Teutës. Sigurisht, minutat e fundit nuk u gjykuan nga arbitri Muho, i cili mori ndihmën mjekësore së pari nga stafi mjekësor i Teutës. Në fytyrën e arbitrit dalloheshin qartë hematomat e shkaktuara nga grushtet e Daliut. Muho është një arbitër i ri në këtë profesion. Ka rreth 5 vjet që gjykon dhe ka marrë edhe stemën e arbitrit ndërkombëtar.
Reagon Federata e Basketbollit: E papranueshme, vendosim të hënën!
Ka reaguar sot për dhunën ndaj arbitrit Jurgen Muho edhe Federata Shqiptare e Basketbollit me një postim në faqen zyrtare në Facebook, ku shkruan: “Federata Shqiptare e Basketbollit dënon ashpër ngjarjen e shëmtuar të ndodhur të shtunën në mbrëmje në Pallatin e Sportit "Ramazan Njala", në takimin midis Teutës dhe Tiranës. Dhuna barbare e ushtruar nga njëri prej lojtarëve të Tiranës kundrejt njërit prej gjyqtarëve të takimit është krejtësisht e papërligjur, e papapranueshme dhe thellësisht e dënueshme. Skena të tilla, që për më tepër u përcollën drejtpërdrejt në ekranet e shqiptarëve nuk kanë asgjë të përbashkët me basketbollin dhe bien ndesh me të gjitha vlerat që përçon sporti.
Federata Shqiptare e Basketbollit i uron gjyqtarit Muho shërim sa më të shpejtë, ndërsa mbështet plotësisht veprimet e Policisë dhe autoriteteve të ligjit, në përputhje me legjislacionin përkatës. Federata Shqiptare e Basketbollit njofton opinionin publik se teksa po administrohet protokolli i ndeshjes dhe dëshmitë e ngjarjes, si dhe pamjet filmike, ditën e hënë do të mblidhet Komisioni i Disiplinës në FSHB për të shqyrtuar dhe për vendosur mbi këtë ngjarje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.