Ka ndodhur

Video/ Denoncoi se e ndiqte një makinë, parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale në Shkodër

Një person është arrestuar dhe dy të tjerë janë nën hetim nga Policia e Shkodrës, duke bërë të mundur parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale.

Mësohet se shtetasi A.T, 45 vjeç, banues në Mjedë Shkodër, ka kërkuar ndihmën e policisë, pasi dyshonte se prej disa ditësh po e ndiqnin disa persona të panjohur nga ana e tij dhe që lëviznin me një automjet tip “Golf”.

Pas bllokimit të automjetit të dyshuar në fshatin Mjedë, ka rezultuar se qarkullonin tre shtetas dhe në brendësi të makinës, u gjetën tre shkopinj bejsbolli dhe një bidon me 5 litra benzinë.

Gjithashtu në banesën e njërit prej këtyre shtetasve konkretisht, Florjan Vasija, banues në Dajç, Lezhë, policia gjeti dy armë zjarri gjysmë automatik dhe 821 copë fishekë luftarak.

Vasija u vu në pranga, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” .

Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dy shtetasit e tjerë Z.V., banues në Lezhë dhe E.D., banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë