Drejtësia

Vettingu nxjerr jashtë sistemit të drejtësisë pas 22 vitesh karrierë prokurorin Besim Hajdarmataj

Ish-kreu i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj është shkarkuar nga detyra, duke dalë përfundimisht jashtë sistemit të drejtësisë pas 22 vitesh karrierë.

Ka qenë Komisioni i Pavarur i Apelimit, ai që ka “djegur” karrierën e prokurorit Hajdarmataj, duke e përjashtuar me anë të një vendimi.

KPA vendosi këtë të mërkurë pranimin e kërkesës së ndërkombëtarëve dhe të Komisionerit Publik, duke hedhur poshtë vendimin e mëparshëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e konfirmoi në detyrë.

Hajdarmataj u konfirmua në detyrë më 16 tetor nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Suela Zhegu dhe anëtar Roland Ilia dhe u referua për procedim disiplinor për një hetim të mbyllur të vitit 2010.

Por me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, vendimi u ankimua në Kolegj. Më pas, Komisioneri Publik bëri një ankimin ndaj vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit.

Komisioneri kërkoi shkarkimin e tij me arsyetimin se subjekti nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e profesionalizmit dhe të pasurisë.

Hajdarmataj u akuzua nga mazhoranca aktuale se ka përgjuar socialistët në Dibër me porosi të ish-kryeministri Berisha, me të ashtuquajturën dosje “339”, për të sgantazhuar qeverinë.

Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 22 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit.

Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie.

Me ardhjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Hajdarmataj u largua fillimisht nga posti i drejtuesit të Krimeve të Rënda dhe në shtator 2018 u komandua në Prokurorinë e Pogradecit.

Ai e konsideroi transferimin të paligjshëm dhe me vendim të Gjykatës Administrative dhe më pas të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u rikthye sërish si prokuror i Krimeve të Rënda.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë