Analize

Vetoja për NATO-n, si iu ‘përkulën’ Erdoganit presidenti amerikan dhe liderët e BE

Gazeta Si - Kompromisi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qeveritë evropiane kanë pranuar që Turqia të heqë veton për hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO, nuk është i ndershëm.

Nuk është, edhe pse për momentin nuk dihet se cilët dhe sa prej "terroristëve" të dyshuar të kërkuar nga regjimi i Ankarasë  do të ekstradohen.

Gjykatat e Helsinkit dhe Stokholmit do të vendosin me pavarësi, ku shpresohet se duhet të karakterizojë dy vende në krye të renditjes së Freedom House të sistemeve më demokratike dhe transparente në botë.

Ndërsa presim të kuptojmë se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm, është e mundur të përqendrohemi në atë që ka ndodhur ditët e fundit.

Disa nga vendet më të forta ekonomikisht dhe teknologjikisht në botë, i janë përkulur diktatit të Turqisë, një komb, monedha e të cilit përgjysmoi vlerën e saj ndaj dollarit në pak muaj.

Diktatori i ulur në një ekonomi shumë të dobët, nga inflacioni në 73%, Rexhep Tajip Erdogan, ka arritur t'u imponohet liderëve demokratikë që mund t'i nevojiten së shpejti për një paketë shpëtimi.

Ligjërisht është e mundur, sepse Aleanca Atlantike vendos unanimisht, ndaj mjaftoi kundërshtimi i një qeverie të vetme për të bllokuar Suedinë dhe Finlandën. Por politikisht, një detyrim i tillë do të kishte qenë i paimagjinueshëm nga fundi i viteve 1980 deri më 11 shtator 2001, kur demokracitë perëndimore ishin në kulmin e fuqisë së tyre globale.

Sot, raporti i pushtetit është i panjohur. Dhe jo vetëm sepse pa Ankaranë Deti i Zi nuk do të rihapet kurrë për të lejuar kalimin e grurit ukrainas.

Nëse Erdogan guxoi një shantazh kaq flagrant ndaj vendeve më të pasura në botë, kjo ndodh sepse këto të fundit vijnë nga një seri humbjesh që e lënë Turqinë me fuqi në rritje.

Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë humbur në Siri, deri në atë pikë sa që ushtria turke është tani i vetmi aktor që frenon praninë ruse përkrah diktatorit të Damaskut, Bashar al-Assad.

Perëndimorët humbën në Irak dhe Afganistan. Ata humbën edhe në Libi pas rënies së Muhammar Gaddafit, deri në atë pikë sa vendi prodhon 2.5 miliardë metra kub gaz në vit për Italinë dhe jo dhjetë miliardë sa mundte.

Edhe atje, Turqia është e vetmja kundërpeshë ndaj Rusisë. Ne, perëndimorët kemi humbur, sepse qeveritë dhe opinioni publik nuk mund të mbajnë më angazhime në terren në teatro të paqëndrueshme dhe pikërisht në këtë zbrazëti përshtatet Erdogani.

Për më tepër, ajo e bën këtë edhe në fushat e gazit në ujërat territoriale të Qipros.

Guximi i diktatorit turk, brenda dhe jashtë NATO-s, nuk është veçse pasqyra e rënies së fuqisë globale të Perëndimit.

Marrë nga "Corriere della Sera"; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë