Shendet

Vetëvrasjet te “Covid 2”, thirrjet e ekspertëve të shëndetit mendor nuk i dëgjoi askush

Në muajin shtator Gazeta “Si” foli me psikiatër, psikologë dhe sociologë për të kuptuar se si duhet të trajtoheshin pacientët e Covid-19 nga ana mendore. Sot me vetëvrasjen e 52-vjeçarit Preng Gjonaj, në të njëjtin spital, kuptuam se asgjë nuk ka ndryshuar, pavarësisht thirrjes e këshillave të ekspertëve të shëndetit mendor. Ndërkohë, drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi” Perlat Kapisyziu në një deklaratë për mediat tha se pacienti nuk kishte anomali psikologjike, por ende nuk kanë përcaktuar se çfarë masash do të merren.

Vetëvrasjet e pacientëve me Covid-19 në një kohë të shkurtër në spitalin “Shefqet Ndroqi”, tregojnë anën e rënduar psikologjike të personave që e kalojnë sëmundjen, të cilët pavarësisht trajtimit mjekësor, kanë nevojë edhe për mbështetje të fortë psikologjike.  

Psikiatri Neli Demi asokohe i tha Gazetës “Si” se çdo njeri i përjeton sëmundjet në një mënyrë të caktuar, në bazë të burimeve psikologjike dhe emocionale që ka në dispozicion.
“Njerëzit që kanë një predispozitë të shtuar, që më përpara mund të kenë pasur probleme të ankthit, të depresionit, apo probleme të tjera psikologjike dhe psikiatrike, sigurisht që mund të përjetojnë një problem, përfshirë këtu edhe sëmundjet fizike, në një mënyrë intensive, aq më shumë kur bëhet fjalë për një sëmundje ngjitëse si Covid-19”, shprehet psikiatri.

Ndërsa për sociologun Gëzim Tushi këto ngjarje ishin një moment thelbësor për një vështrim të ri strategjik dhe taktik në trajtimin nga këto institucione që do të thotë se krahas ekipeve spitalore, si mjekëve, infermierëve dhe medikamenteve, do të duheshin edhe ekipe të tjera që kanë të bëjnë me mendjen dhe shpirtin, për ta përballuar këtë situatë.

“Natyrisht nuk është kollaj të jetosh me sëmundjen e rrezikshme, të jesh në një gjendje të izoluar dhe në vetmi apo me njerëz që herëpashere humbin jetën. Doemos që këto krijojnë një situatë ankthi dhe dëshpërimi, megjithatë është detyra e institucioneve spitalore që të kenë pranë tyre jo vetëm mjekë por edhe psikologët, psikologët klinikë të cilët duhet të ndihmojnë pacientin,” shpjegon Tushi për Gazetën “Si”.

Psikiatri Demi gjithashtu shtoi se sëmundje të tilla mund të rëndojnë gjendjen psikologjike edhe më shumë.
“Duke e pasur parasysh këtë gjë, sigurisht që të gjithë profesionistët që janë në fushën e mjekësisë dhe merren me trajtimin e personave të cilët janë të infektuar nga Covid-19, duhet të përdorin të gjithë njohuritë e tyre. Në këtë fazë duhet të punojnë specialistët e psikiatrisë apo psikologjisë për të parandaluar rëndimin e gjendjes psikologjike, sepse ky përkeqësim mund të sjellë pasoja të tilla tragjike siç ishte vetëvrasja e personit,” thekson psikiatri.

Edhe eksperti i shëndetit publik në Londër Laidon Shapo, në një status në rrjetet sociale, atë kohë tha se ishte momenti kyç për të marrë masa që të ndalojë ky fenomen. “Një masë mëse e nevojshme është që të gjithë të shtruarit të plotësojnë një formular ku të vlerësohet gjendja fizike dhe shëndeti mendor. Kjo, si shtesë e anamnezës dhe të dhënave të kartelës nga mjeku i familjes për çdo pacient”, shkruan Shapo.
Mjeku që është në betejën me Covid-19 në Britani, thotë se në literaturë ka raste sporadike të shfaqjes së shenjave të haluçinacioneve si pasojë e Covid-19, por sipas tij kjo ndodh tek personat me probleme mendore paraprake. 
“Kujdes me lajmet dhe informacionin, paniku dhe fokusi në ngjarje të tilla vetëm rëndojnë psiqikën e popullatës në këtë ‘betejë’ të gjatë me këtë virus dhe format dhe pasojat e shumta që ai le pas…,” thotë ai.


Ndërsa psikologia Aljona Jonuzi tregonte në atë kohë Gazetën “Si” se depresioni në këtë kohë pandemie është i shkaktuar që nga fazat e para të izolimit, ashtu si dhe kushtet e rënduara ekonomiko-psikosociale si rezultat i pandemisë tregojnë që niveli i stresit dhe depresionit është rritur ndjeshëm dhe padiskutim kjo gjë ndikon në rritjen e rasteve të krimeve, dhunimeve dhe po ashtu edhe vetëvrasjeve. Sipas Jonuzit në atë periudhë padija për Covid-19 e bënte akoma më komplekse sjelljen e njerëzve.

Rastin e sotëm e ka denoncuar edhe Partia Demokratike, nëpërmjet Oriola Pompurit, e cila në profesion është psikologe. Pompuri ka deklaruar se Ministres, situata i ka dalë totalisht jashtë kontrollit.
“Zgjidhja është siguria e jetës dhe shëndetit të pacienteve, këtu keni dështuar dhe merreni me sulme. Vetëvrasjet ndodhin nën një gjendje të ngarkuar psikologjike, kur personi humbet përgjegjshmërinë dhe shpresën dhe si një nga rrugëdaljet nga kjo gjendje psikologjike shumë e rënduar, shikon vetëvrasjen,” shpjegon Pompuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë