Drejtësia

Vetëvrasja e 27-vjeçares në Kamëz, burg për Altin Çokun. Mohon akuzat në gjykatë: Foton nuk e publikova unë

Gazeta Si - Altin Çoku, i dyshuar se nxiti vetëvrasjen e 27-vjeçares Sibela Abedini, ka mohuar akuzat para gjykatës, ku këtë të enjte u vendos masa e sigurisë "arrest në burg".

Teksa në shumicën e kohës mbante kokën poshtë për t’iu shmangur objektivit të kamerave, Çoku dukej i tensionuar.

“Foton e nxori shtetasi F.H.,- tha ai për gazetarët. - Mesazhet janë në telefonin e vajzës, të së ndjerës. Shpreh keqardhje për familjen e të ndjerës”.

Ai ka shtuar se është arrestuar “në mënyrë të paligjshme, sepse dihet se kush e ka nxjerrë foton. Jam përdorues i rrjetit TikTok si gjithë të tjerët”.

Abedini, nënë e një vajze 2 vjeçe, i dha fund jetës më 12 shkurt 2024, duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt e një pallati në Kamëz, pasi i publikuan foto intime në TikTok.

Ndërsa 39-vjeçari Çoku, ka edhe precedentë të mëparshëm dhe rezulton i dënuar nga ish Gjykata e Krimeve të Rënda për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Akuza ndaj tij është ajo e shantazhit përmes rrjeteve sociale me shkaktim të vetëvrasjes.

Kjo nuk është hera e parë që Çoku arrestohet dhe dënohet nga drejtësia. Në vitin 2015 ai është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda për veprën penale “shtrëngim me atë të kanosjes” ose “dhunës për dhënie të pasurisë”.

Në vendimin e gjykatës thuhet se Çoku ka kërcënuar me jetë mjekun neuro-psikiatër me iniciale G.S. Ata të dy njiheshin pasi mjeku e ka pasur Çokun pacient. Në vendim thuhet se në Qershor të vitit 2014, Altin Çoku i ka shkuar në zyrë dhe i ka kërkuar lekë për të mjekuar vajzën e tij dhe për t’ia dhënë avokatit për një çështje që kishte. Përveç mesazheve në telefon ai i kishte dërguar doktorit edhe një letër në të cilën i shkruan:

“Gëzim unë jam në hall dhe me ndihmo po dashte me i marr lekët tuja dhe nëse nuk do me pas gjakderdhje unë për 5 minuta jam dhe vet aty. Gëzim me ndihmo të lutem deri nesër. Tani gjej ku të dush 1000 euro deri neser ose kam me vra kush të më dali para. Unë jam ke shpija më bëj sms a të vij sipër e ti marr apo nuk ke gjet. Shiko se fole me njeri se un o ti gjall pastaj”.

Mjeku ka sqaruar në atë kohë se i kishte dhënë disa herë Çokut para. Vlera totale e tyre ishte 4 mijë euro, i detyruar për shkak të kërcënimeve të herëpashershme. Në total mjekut i janë dërguar 6 mesazhe kërcënuese. Në atë kohë Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e gjeti fajtor për kanosje, por e dënoi me 5 vite shërbim prove për shkak të problemeve fizike që ai kishte. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë