Zvogëlimi i përdorimit të telefonit tuaj me vetëm një orë në ditë ju bën më pak të shqetësuar, më të kënaqur me jetën dhe me më shumë gjasa për të ushtruar, ka zbuluar një studim.
Studiuesit thanë se “nuk ishte e nevojshme të hiqni dorë plotësisht nga telefoni për t’u ndjerë më mirë”, por ata zbuluan se reduktimi i përdorimit të tij të përditshëm kishte efekte pozitive në mirëqenien e një personi.
Studimet e mëparshme kanë treguar se përdorimi i telefonit është i lidhur me obezitetin, dhimbjen e qafës, performancën e keqe dhe sjelljen e ngjashme me varësinë, kështu që ekspertët në Ruhr-Universität Bochum në Gjermani vendosën të përcaktojnë se sa ndikon realisht telefoni në jetën e njerëzve.
Julia Brailovskaia dhe ekipi i saj donin të përcaktonin nëse jeta jonë është në të vërtetë më e mirë pa telefonat inteligjentë ose se sa orë të reduktuara bëjnë një diferencë.
Studiuesit rekrutuan 619 njerëz për studimin e tyre dhe i ndanë në tre grupe.
Gjithsej 200 njerëz e vendosën telefonin inteligjent në një anë gjatë javës, 226 e reduktuan kohën e përdorimit të pajisjes me një orë në ditë dhe 193 nuk ndryshuan asgjë në sjelljen e tyre.
“Ne zbuluam se heqja dorë plotësisht nga telefoni dhe reduktimi i përdorimit të tij të përditshëm me një orë kishin efekte pozitive në stilin e jetës dhe mirëqenien e pjesëmarrësve”, tha Brailovskaia.
“Në grupin që reduktoi përdorimin, këto efekte madje zgjatën më shumë dhe kështu ishin më të qëndrueshme se në grupin e tretë që nuk bënë asnjë ndryshim”.
Mesatarisht, njerëzit kalojnë më shumë se tre orë në ditë të ngjitur në ekranet e telefonave të tyre.
Ne kërkojmë në Google, kërkojmë udhëzime, kontrollojmë emailet ose motin, blejmë, lexojmë lajme, shikojmë filma dhe rrimë në mediat sociale.
Por Brailovskaia tha se ky ishte ‘një bekim dhe një mallkim’.
Studiuesit intervistuan të gjithë pjesëmarrësit në lidhje me zakonet e jetesës dhe mirëqenien e tyre menjëherë pas ndërhyrjes, një muaj dhe më pas katër muaj më vonë.
Ata pyetën se sa merren me aktivitet fizik, sa cigare pinin në ditë, sa i kënaqur ishte një person me jetën e tij dhe nëse shfaqin ndonjë shenjë ankthi apo depresioni.
Ndërhyrja njëjavore ndryshoi zakonet e përdorimit të pjesëmarrësve në terma afatgjatë: edhe katër muaj pas përfundimit të eksperimentit, anëtarët e grupit të tretë përdorën telefonin e tyre mesatarisht 38 minuta më pak në ditë se më parë.
Grupi që kishte shpenzuar një orë më pak në ditë me telefon gjatë eksperimentit e përdori atë 45 minuta më pak në ditë pas katër muajsh.
Në të njëjtën kohë, kënaqësia nga jeta dhe koha e kaluar duke qenë aktiv fizikisht u rritën, ndërsa simptomat e depresionit dhe ankthit si dhe konsumi i nikotinës u ulën.
“Nuk është e nevojshme të heqësh dorë plotësisht nga telefoni inteligjent për t’u ndjerë më mirë”, tha Brailovskaia. ‘Mund të ketë një kohë optimale të përdorimit ditor’.
Studimi është publikuar në Journal of Experimental Psychology: Applied.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.