Shendet

Vetëm 30 orë pas lindjes, foshnja në Kinë preket nga koronavirusi

Një foshnje e porsalindur në Kinë është diagnostikuar me koronavirusin. Vetëm 30 orë pas lindjes, është regjistruar si rasti më i ri në Kinë.
Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se foshnja lindi në 2 shkurt në Wuhan, epiqendra e virusit, duke qenë se nëna e foshnjës ka rezultuar mbartëse e koronavirusit, që ka marrë qindra jetë njerëzit. Mbetet ende e paqartë se si është transmetuar sëmundja, nga organizmi i nënës apo gjatë lindjes, por fatmirësisht foshnja është në gjendje të qëndrueshme dhe mjekët e kanë nën vëzhgim gjatë gjithë kohës. Sipas të dhënave, është i paktë numri i fëmijëve që janë mbartës të koronavirusit.
Si mund të jetë infektuar foshnja?
Ekspertët shprehen se në këtë rast infeksioni mund të ketë kaluar nga barku i nënës.
“Kjo na bën t’i kushtojmë vëmendje edhe më shumë lidhjes fizike dhe psikologjike që ka nëna dhe fëmija,” është shprehur Zeng Lingkong, mjeku kryesor i departamentit të mjekësisë neonatale të Spitalit të Fëmijëve në Wuhan.
Gjithashtu ekspertë të tjerë shprehen se mund të jetë infektuar edhe gjatë lindjes, për shkak të kontaktit të afërt me nënën.

Harta që tregon territoret ku ka njerëz të infektuar nga Koronavirusi, kudo në botë

A është e zakonshme që fëmijët të infektohen nga virusi i ri?
Kanë qenë të paktë fëmijët që janë infektuar me koronavirus. Një raport nga Gazeta e Shoqatës Mjekësore Amerikane (JAMA) thotë se mosha mesatare e pacientëve të infektuar me virusin e ri është mes moshës 49 deri në moshën 56 vjeç, duke shtuar se rastet tek fëmijët "kanë qenë të rralla".
Virusi është përhapur me shpejtësi dhe deri më tani ka 563 të vdekur, dy prej të cilëve janë jashtë Kinës dhe 28,018 janë të infektuar. Mjekët shpjegojnë gjatë gjithë kohës se koronavirusi shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe simptomat zakonisht fillojnë me ethe, pasuar nga një kollë e thatë. Shumica e njerëzve të infektuar ka të ngjarë të shërohen plotësisht njëjtë si ata nga një grip, por nëse kanë një sëmundje të rëndë shoqëruese, gjendja e tyre bëhet edhe më e vështirë.
Organizata Botërore e Shëndetit, ka shpallur prej ditësh tashmë një emergjencë globale shëndetësore. Kryetari i saj, Tedros Adhanom Ghebreyesus, të Mërkurën bëri thirrje se janë vënë planifikuar rreth 675 milion dollarë, për pasoja shëndetësore dhe ekonomike që ka shkaktuar virusi i ri.
Pjesa dërrmuese e fondeve do të shkonin për vendet që kanë nevojë për ndihmë urgjente, për t’u mbrojtur nga virusit. Rreth 500,000 maska dhe 40,000 aparate frymëmarrje do të dërgoheshin në 24 vende që cilësohen më shumë problematike.

Foto ilustruese

Zhvillimet e fundit:
-India ka anuluar të gjitha vizat e kërkuara nga qytetarët kinezë. Pas gjendjes kritikë ata mund të aplikojnë për viza të reja dhe do të rivlerësohen.
-Dhjetë njerëz në një anije në portin japonez Yokohama, janë vendosur në karantinë, pasi kanë rezultuar mbartës të koronavirus.
-Rreth 3,600 njerëz në bordin e një anije tjetër lundrimi të hipur në Hong Kong gjithashtu janë mbyllur në anije pasi tre pasagjerë të mëparshëm u zbulua se kishin virusin.
-Tajvani ka ndaluar të gjitha anijet e lundrimit ndërkombëtar.
-Arabia Saudite ka pezulluar udhëtimin e qytetarëve të saj dhe banorëve jo-sauditë në Kinë.
-Një grup prej gati 350 amerikanësh që ktheheshin nga Wuhan, janë vendosur nën karantinë në dy baza ushtarake në Kaliforni
-Prodhuesi i makinave Tesla paralajmëroi se virusi, mund të vonojë dërgesat brenda Kinës të automjetit të ri të prodhuar nga kompania.
-Autoritetet shëndetësore në Kinë thonë se po bëjnë gjithçka që duhet për të kontrolluar shpërthimin, veçanërisht në provincën Hubei. Dy spitale janë ndërtuar me shpejtësi dhe 11 vende publike janë shndërruar në spitale të improvizuara.
-Një mjek në Wuhan të Mërkurën paralajmëroi se ka mungesë të shtretërve dhe pajisjeve mjekësore dhe tha se në një zgjidhje të përkohshme dhe emergjente, autoritetet shëndetësore duhet të kthenin hotele dhe shkolla në qendra trajtimi./BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë