Nga Gazeta Si– Holandezi i Red Bull dhe 4 herë Kampioni në fuqi, Max Verstappen la pas rivalin e McLaren, Oscar Piastri duke vendosur “pole position” në British Grand Prix pas xhiros së fundit në Provat Zyrtare. Diferenca mes Verstappen dhe Piastri-t ishte vetëm 0.103 sekonda ndërsa piloti tjetër i McLaren, Lando Norris mbërriti vetëm 0.015 sekonda më vonë në vendin e 3. George Russell në bordin e Mercedes u rendit i katërti me 0.019 sekonda vonesë.

7 herë Kampioni i Botës dhe piloti vendas, Lewis Hamilton që vendosi kohën e dytë pas Piastri-t në sesionin e parë kualifikues, u detyrua të pranojë vendin e 5, përpara shokut të skuadrës te Ferrari, Charles Leclerc. Një tjetër britanik, Oliver Bearman bëri një paraqitje të shkëlqyer duke u renditur i 8 për Haas, por do të niset nga vendi i 18 për shkak të penalltisë me 10 pozicione për shkak të shpejtësisë së lartë në regjimin e flamurit të kuq në Provat e Lira.

Piloti tjetër i Mercedes, Kimi Antonelli u rendit në vendin e 7 por edhe ai ka një penalitet prej 3 vendesh për shkak të incidentit që pati me Max Verstappen në Austri. Penalitete që afruan Fernando Alonso-n dhe Aston Martin në vendin e 9 dhe Pierre Gasly (Alpine) në top 10. Verstappen që nisi me tone të qeta e mbylli sesionin e Provave Zyrtare si piloti më i shpejtë në një pistë ku Red Bull pritet ti shfrytëzojë mirë kthesat e shpejta të Silverstone.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.