Lojëra me Dore

Verdiktet e NBA-së/ Lejkërs-Uarriors në Play-In, Jutah e mbyll me rekord

Duhej të vinte minuta e fundit i ndeshjes së fundit që sezoni i paparashikueshëm 2020-2021 të jepte verdiktet. Jutah e ka mbyllur me rekord NBA-në për herë të parë në historinë e saj, ndërsa Play-In do të ketë një sfidë shumë të fortë Lejkërs-Uarriors, LeBron Xhejms kundër Stef Kërri. Play Off-i fillon të shtunën. Ja dhe verdiktet pas mbrëmjes së fundit të sezonit të rregullt:

Konferenca e Lindjes
PLAY-IN
Boston-Uashington
Indiana-Sharlot

Luhet të martën ndeshja teke dhe kush fiton mes Bostonit dhe Uashingtonit në “TD Garden” do të jetë kokë serie numër 7 dhe do të përballet me Bruklin, që ka fituar numrin 2, pasi mundi Kleveland. Kush humb mes Bostonit dhe Uashingtonit duhet të mundë të enjten fituesin çiftit Indiana-Sharlot për të qenë kokë serie numër 8 dhe të përballet me Filadelfian, mbretëreshën e Perëndimit. Të gjitha sfidat e Play-In janë me ndeshje teke.

PLAY-OFF
Filadelfia-e papërcaktuar ende
Bruklin-Boston/Uashington
Milluoki-Majemi
Nju Jork-Atlanta

Dy seri janë vendosur, dy të tjera presin Play-In. Milluoki-Majemi është gjysmëfinalja e sezonit të shkuar, që u fitua nga Hits. Baksat lanë pushim në javën e fundit titullarët, sapo mësuan se Bruklin kishte siguruar kokën e serisë numër 2, duke mundur Kleveland. Majemi duhet të shpresojë që Xhimi Batler të jetë në gjendje të mirë për të mundur Janis Antetokounmpo me shokë. Kryqëzim intrigues mes Nju Jork dhe Atlantës: Knicks kthehen në Play-Off pas 8 vitesh, me avantazhin e fushës.

Konferenca e Perëndimit
PLAY-IN
Lejkërs-Golden Stejt
Memfis-San Antonio

Reflektorët janë te Lejkërs-Golden Stejt, që luhet të mërkurën në Los Anxheles. Një sfidë hyjnore: LeBron në dy ndeshjet e fundit ka treguar se është gati të bëjë diferencën, kurse Stef Kërri vjen pas një ndeshjeje monstruoze me 46 pikë të shënuara ndaj Memfis. Kush fiton mes Lejkërs dhe Golden Stejt është kokë serie numër 7 dhe gjen Feniks në turin e parë. Kush humb, të premten luan me fituesin e Memfis-San Antonio.

PLAY-OFF
Jutah- e papërcaktuar
Feniks-Lejkërs/Golden Stejt
Denver-Portland
Klipers-Dalas

Denver-Portland u luajt edhe javën e fundit të sezonit të rregullt: fituan Blejzërs, por Naxhtes nuk kishin më çfarë kërkonin. Portland ishte skuadra e fundit e Lindjes që mori biletën për të shkuar direkt në Play-Off. Dallas futet si numri 5, edhe pse ndeshjen e fundit humbi ndaj Minesotës: gjen Klipers në revanshin e një serie që u pa edhe vitin e kaluar në turin e parë. Jutah ka mbajtur kokën e serisë numër 1, duke fituar në Sakramento. As kur në “Salt Lake City” luanin Xhon Stokton dhe Karl Malone Xhaz nuk e kanë filluar Play-Off-in si kokë serie numër 1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë