Shendet

Ventilimi aktual nuk po arrin të ndalë infeksionet. Shkencëtarët: Duhet rregullore për cilësinë e ajrit në banesa e pallate

Dhjetëra ekspertë shëndetësorë kryesorë të botës kanë kërkuar përmirësime të mëdha në ajër në ndërtesa. Ata thonë se rregullat aktuale të ventilimit nuk po arrijnë të ndalojnë infeksionet, përfshirë Covid-19. Në një shkresë për revistën “Science”, shkencëtarët dhe inxhinierët thonë se ndërsa qeveritë kanë rregullore mbi sigurinë e ushqimit, higjienës dhe ujit të pijshëm, duhet të kenë edhe për cilësinë e ajrit.
Ata thonë se kjo është pjesërisht sepse është më e lehtë të identifikosh shpërthimet epidemike në një tub uji ose paketë ushqimi që mund të jetë shkaku i një shpërthimi sesa të gjesh një burim epidemie nga ajri. Ata gjithashtu thonë se projektuesit e ndërtesave janë përqendruar për dekada në mbajtjen e njerëzve në një temperaturë konstante ose në kursimin e energjisë.
Sipas raportit ka prova nga studimet e rasteve në restorante, anije dhe shkolla që infeksionet e frymëmarrjes mund të kalojnë nga ajër. Kjo tregon që "mënyra se si ne projektojmë, veprojmë dhe mirëmbajmë ndërtesat ndikon në transmetim".
Ndërsa, udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për cilësinë e ajrit të brendshëm shpjegojnë se duhet të shmangen kimikate të tilla si benzeni dhe monoksidi i karbonit. Përfundimi i ekspertëve është se duhet një ndryshim në idenë e ndërtimit të shtëpive. Një raport shumë i hershëm mbi kanalizimet nga Edwin Chadwick që në vitin 1842 ka theksuar se sa e keqe është gjendja e banorëve në vendet urbane. Ata vuanin nga më shumë nga sëmundjet kronike të frymëmarrjes.

Nevojitet një përpjekje globale për të përmirësuar ajrin në ndërtesat e larta. Një nga autorët, Cath Noakes, një inxhinier mjedisor në Universitetin e Leeds shpjegon se duke qenë se cilësia e ajrit është e padukshme për ne, kështu e injorojmë se sa ndikon çdo ditë në shëndetin e individëve. Noakes tha se është i nevojshëm një "revolucion" në mënyrën se si qeveritë rregullojnë cilësinë e ajrit të brendshëm. Një shkencëtar tjetër i përfshirë është Julian Tang, virolog klinik në Universitetin e Leicester. Ai thotë se hapësirat e brendshme me ventilim të dobët janë një kërcënim i madh shëndetësor sepse ka më shumë rrezik për të qarkulluar viruset.
"Ne të gjithë duam të jemi të sigurt se ajri në shtëpitë tona, ndërtesat dhe restorantet që ne vizitojmë është i pastër. Kështu ekziston një mundësi që vendet publike të kenë “certifikata ventilimi” njëjtësi ato për higjienën”, shpjegon eksperti.
Ndërsa Noakes shpjegon se investimet në ventilim të mirë mund të duken të larta por "ka gjasa të kemi më pak njerëz të sëmurë".
Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë