Mode

Venera Mustafa – “Afërdita” e krijimeve të modës

Nga Jeta Deda - Nuk e teprojmë fare nëse themi se Venera Mustafa është pa dyshim ndër krijueset më të veçanta ndër shqiptari. Profesioni i stilistit në vend që të jetë ai i një artisti, sot dita është afruar gjithnjë e më shumë me konceptin që bota anglosaksone ka për të, me atë të një konsulenti garderobe – "dadoje" veshjesh. Por Venera është krejt e kundërta. Me një shije të hollë, me aromë nordike, veshjet e Venera Mustafës mund t’i dallosh prej lirshmërisë dhe frymëmarrjes që kanë që në dukje, ngjyrave që nuk bërtasin më kot dhe patjetër linjave e sezoneve që sjellin gjithnjë elementë që duket se do të parashikojnë si një lloj horoskopi trendet e vitit të ardhshëm.

Ka studiuar dizenjim mode, me specializim tek veshjet për meshkujt që kanë lëshuar tharmin e tyre pakëz edhe tek ato të femrave në prodhimet e Venerës. Para kryerjes së praktikave profesionale dhe trajnimeve të rëndësishme në grupe të mëdha të modës në Kopenhagen e Paris, Venera ka studiuar edhe skulpturë, gjë që vihet re në njohjen e imtësishme që ka për anatominë njerëzore, aq sa di t’i qëndisë format, të përshtatura për çdo masë, për t’u ndjerë të bukur e elegantë. Prej 7 vitesh, Venera ka krijuar label-in e saj, me vendndodhje në Prishtinë, Kosovë.

Një gjë është e sigurt, përveç shijes që edhe nëse nuk e ke, këto veshje ta induktojnë, do të kesh me vete edhe pasaportën diplomatike të një zgjedhjeje gjithnjë të mirë.

Unë e njoha për herë të parë punën e Venera Mustafës rreth gjashtë vjet më parë, kur në një restorant, së bashku me një mikeshën time fotografe, takuam kantautoren Elina Duni. Elina mbante veshur një krijim (jo stilim) të Venerës dhe madje në bisedë e sipër, përveçse se lëvdoi punën e saj në vazhdimësi, na bëri të diskutojmë një hop edhe për mbështetjen e paktë që ne u japim krijuesve shqiptarë.

Venera ka një lloj supremacie në përzgjedhjen e ngjyrave që hedh në treg dhe këtë e gjejmë edhe në punimet e saj të mëparshme, siç mund t’i referohemi sezonit vjeshtë-dimër 2013, ku tonalitetet e grisë së tymtë, të zezës Charleston e të verdhës indiane kanë krijuar qarkun perfekt të kombinimeve. Njëlloj përmendim edhe elementët figurativë të florës dhe faunës me përsëritje periodike paralele nëpër tekstile, duke na shfaqur një lloj harmonie dizajni dhe tekstili të pazëvendësueshëm në sezonin e parë të 2014-s që është një nga bashkëpunimet më interesante me artistin pointilist Jakup Ferri.

Nuk e di a e mbani mend, por para se Venera të prezantonte në një sezon që e kishte ekuilibruar mes blusë dhe grisë metalike me elementët e gjymtyrëve a figurave njerëzore, kemi parë të veshur përreth një koleksion pa diskutim interesant dhe që bie në sy e në mendje. Koleksioni “Ë”, ka qenë një nga ato punë artistike, ku ajo ë-ja, ajo zanorja toske e lëvruar nga një gege, është si ajo ë-ja e zgjatur që mendohet, është si ajo ë-ja që në formë pyetëse kërkon mendimin tënd, ose dhe një "ë" patjetër konfirmuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë