Editorial

Vendimi për “ngrirjen” e kumarit dhe basteve ka njolla gjaku

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit dhe basteve, edhe pse ka marrë bekimin e klerit, është i lyer me gjak dhe mëkati nuk mund të shlyhet as me falje. Qeveria po mundohet ta paraqesë këtë si një vendim të guximshëm. Kryeministri Rama doli vetë për të dhënë lajmin, duke dalë nga llogoret virtuale siç bën gjithnjë kur ka një hall të madh për të komunikuar drejtpërdrejt me publikun për ato që i cilësoi si vendime serioze. Vrulli i kryeministrit vijoi edhe të nesërmen që në mëngjes në rrjetet sociale, ku postoi dokumentin e firmosur prej tij, projektligjin që mbyll bastet më 1 janar.

Megjithëse në dukje me përfitim të madh për publikun, vendimi mbetet thellësisht për interes politik dhe me mjaft dyshime se mund të korrigjojë diçka nga humbja që kanë apo mund të kenë shqiptarët.

Ka më shumë se një rast nisur nga veprimet e viteve të fundit, që tregojnë se si shumica parlamentare ka favorizuar me ligje lehtësuese lojërat e kumarit dhe basteve. Shifrat dhe faktet ligjore, që edhe ne i kemi bërë publike, tregojnë se si biznesi i kumarit po arkëton miliona, duke shkelur ligjin, vjedhur lojtarët dhe pa derdhur as ato taksa që i takojnë, pavarësisht se nga viti në vit, nga ndryshimi ligjor në ndryshim, qeveria ia ka ulur.

Jo më larg se një muaj më parë, qeveria sërish propozoi që taksat e kumarit dhe basteve të ulen të paktën me 5 për qind të tjera, duke atakuar edhe presidentin që ishte kundër.

Edhe vendimi për largimin e lojërave elektronike jashtë qytetit ka kaluar çdo afat, duke mbetur i pashpjeguar nga vendimmarrësit.

Gjatë kësaj periudhe të artë fiskale biznesi i kumarit në Shqipëri arkëtoi miliona euro dhe numri i pikave u rrit me hop cilësor vitet e fundit. Por, në profilin e Ramës, përveç vendimit që ndalon reklamat në media dhe mbyll bastet dhe kumarin në qytet, nuk gjen postime më të hershme me plot dokumente të tjerë ligjorë që qeveria dhe maxhoranca e tij ka miratuar për t’ju lehtësuar barrën këtyre bizneseve, që nga njëra anë po krijojnë bomba sociale, por që nga ana tjetër shëndoshin financiarisht krimin.

Edi Rama, kohë më parë, ishte shprehur se për atë këto biznese nuk duhej të ekzistonin, por kishte kundër grupin parlamentar dhe qeverinë. Një gjysmë e vërtetë kjo, sepse për vendime drastike, Edi Rama nuk ka pyetur se çfarë mendimi ka në qeveri Senida Mesi apo në grupin parlamentar Blerina Gjylameti. Fakti që deputetët socialiste kërkuan shtyrjen e afatit për transferimin e kazinove jashtë qytetit, për të dytën herë, një vit më parë, tregon se interesat e biznesit të kumarit kanë qenë më të mëdha se interesat e publikut, duke kapur edhe shumicën e djeshme, atë të koalicionit, edhe shumicën e sotme, atë që mban timonin vetëm.

Këta fakte i kemi bërë me dije më herët, por nën dritën e një ngjarjeje tjetër, ato marrin tjetër peshë. Vendimi i Edi Ramës për ta mbyllur ishte i papritur për shumëkënd, por erdhi fiks pas krimit të rëndë në ish-Bllok, ku rendi u sfidua keq dhe ku mbeti një i vdekur dhe u plagosën dy të tjerë. Të tjerë janë në arrati. Mes të plagosurve ishte edhe “mbreti” i lojërave të fatit në Tiranë, një emër i njohur i botës së krimit, mjaft i lakuar në kryeqytet për bëmat kriminale sesa për aftësitë menaxheriale.

Njerëzit shikojnë te kjo ngjarje se si krimi dhe kumari i fryrë nga paraja e lehtësuar nga ligjet u majisën keq, aq sa shpërthyen në ish-Bllok, në zemër të Tiranës dhe gjeografikisht në zemër të shtetit, duke shkaktuar të vrarë e të plagosur. Ndaj përgjegjësia nuk mbetet më te policia e as te komando, apo te ca gango gjaknxehtë.

Ngjarja është një akt që minon politikisht qeverinë, e cila në sytë e publikut ka pasur sjellje dashamirëse ndaj kumarit, por qytetarët panë se te këto biznese qëndrojnë si pronarë bosët e krimit. Dhe kjo ngjarje e dalë duarsh, por e pritshme që mund të shpërthente pavarësisht formës, do ta implikonte patjetër qeverinë.

Por, a është vendimi i Ramës për mbylljen e basteve dhe kumarit një koincidencë kohore, që ndodhi pak ditë pas krimit në Bllok?  Për përgjigjen, e bëjmë pyetjen ndryshe: A do ta merrte këtë vendim qeveria nëse ngjarja e rëndë nuk do të kishte ndodhur? Përgjigjja është “Jo”.

Logjika e veprimeve të kësaj maxhorance, që nxori disa herë ligje për të lehtësuar biznesin e kumarit nuk të çon në favor të kryeministrit, ndaj edhe pas këtij vendimi të  ri, dallohen lehtë njollat e gjakut që simbolizojnë edhe koston, me të cilët qytetarët duhet të paguanin që kjo marrëzi të merrte fund.

Pikërisht, këtë faturë gjaku qeveria nuk po kërkon ta mbajë përsipër, prandaj ajo nxitoi të nxjerrë një ligj që do shumë sforco ta besosh se është plotësisht brenda vullnetit të saj.

Nga ana tjetër mbetemi skeptikë se sa do të jetë, pas këtij vendimi, shkalla e përfitimit te qytetarët. Duket sikur me të qeveria krijon një barrierë që i pengon shqiptarët të harxhojnë paratë e tyre në lojërat e kumarit apo bastet dhe makthi i familjeve, siç tha kryeministri, do të marrë fund. Por, ashtu siç është propozuar deri tani, vendimi lë disa pikëpyetje, sepse mbyllen lojërat që kërkojnë pjesëmarrje fizike, por bastet dhe kumari online do të vazhdojnë të zhvillohet edhe nga kompani shqiptare. Dhe siç ka mësuar eksperienca, jo pak herë pas çdo vendimmarrjeje të fortë, qëndrojnë të tjera interesa të forta. Edhe pse nuk ka prova se kush qëndron pas këtyre lojërave, ngrihen dyshime që paratë e kumarit po ndërrojnë thjesht pronarë.

Ndaj fatura mbetet sërish me njolla gjaku që vështirë se zhduken për sa kohë  lojërat e fatit, në shpjegimin më naiv, shihen ende si një mundësi ku punësohen mijëra njerëz apo që kompanitë paguajnë taksa e për të cilat qeveria ndien ende keqardhje se do i mungojnë buxhetit.

Bordi Editorial


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë