Shendet

Vendimi i ministrit të Bujqësisë- Edhe siguria ushqimore jepet me “koncesion”

Siguria ushqimore për një sërë produktesh të përditshme të tavolinës në tryezat e qytetarëve shqiptarë do të përcaktohet nga privati. Një urdhër i ministrit të Bujqësisë, Bledi Çuçi ka autorizuar një laborator privat për kryerjen e analizave laboratorike për fruta-perimet, brumin, ushqime me bazë vezën dhe nënproduktet e saj, ushqimet e përpunuara dhe për mishin dhe nënproduktet e tij.

Urdhri është pasqyruar në Fletoren Zyrtare të 1 tetorit dhe në të përcaktohet se ai hyn në fuqi menjëherë pas këtij botimi. Kompania e autorizuar është “Noval Laboratory”. Nga ekstrakti historik në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve, kjo kompani figuron e themeluar në korrik të një viti me parë, me pronar të vetëm shtetasin Petrit Maho.

Lidhur me vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, ka reaguar ish-ministri Edmond Panariti. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai e cilëson skandaloz këtë akt, që vë në rrezik sigurinë ushqimore të qytetarëve.

“Siguria ushqimore është siguri kombëtare! Ashtu si laboratori qendror i kriminalistikës, apo organet investigative kombëtare nuk mund t’i besohen privatit, po ashtu edhe zbulimi, identifikimi dhe vlerësimi ndotësve kimikë, radioaktive dhe agjentëve patogjenë në ushqime nuk mundet t’u "delegohen" të tretëve, sepse këta ndotës janë agjentë të dëmtimit në masë dhe sipas Kushtetutës shteti përgjigjet për sigurinë dhe mirëqënien e shtetasve të tij dhe jo privati.

Panariti thotë se për më tepër vendimi është edhe abuzim me fondet e kaluara ndër vite nga vetë Qeveria shqiptare dhe Bashkimit Europian për ngritjen e standardeve të laboratorëve shtetërorë.

“Ky ka qenë dhe mbetet parimi mbi të cilin Bashkimi Europian investoi me dhjetëra miliona euro në ngritjen e rrjeteve laboratorike qendrore (ISUV) dhe ato lokale laboratorët rajonalë. Këtij i shërben edhe projekti prej 5 milionë euro i sigurisë ushqimore i financuar nga BE. Nëse Qeveria ndryshon kurs dhe vendos që monitorimin zyrtar të ndotesve t’ja u kalojë privatëve, së pari thyen ligjin mbi ushqimin dhe së dyti duhet t’i kthejë pas Bashkimit Europian, milionat e eurove që u harxhuan dhe që po harxhohen ende që ushqimi dhe siguria e tij të mbeten sovranitet shtetëror”, shton Panariti.

“Noval Laboratory” është themeluar më 2 korrik të 2018 me pronar të vetëm shtetasin Petrit Maho dhe administratore shtetasen Anila Maho. Adresa e kompanisë është në fshatin Koxhas, Xhafzotaj Durrës. Emri i Petrit Mahos del edhe në kompaninë Intermed, që figuron me të njëjtën adresë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të biznesneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë