Ana e errët

Vëllai kundër vëllait për hashashin, por në qeli përfundon babai!

Gazeta Si - Sherret për pronësinë e tokës edhe midis vëllezërve janë mëse të zakonshme në Shqipëri. Por dy vëllezër janë treguar aq tolerantë, sa kanë nisur debatet në polici, ku njëri prej tyre ka pretenduar se toka nuk ishte e tij, por e vëllait tjetër.

Në fakt gjithë kjo “dashuri” për vëllain, kishte një prapaskenë tjetër. Sepse bashkë me tokën, secili u përpoq t’i ngarkojë tjetrit përgjegjësinë për personin që kishte mbjellë hashashin në të.

Në fund, në burg përfundoi babai i tyre, i cili pasi u shpall në kërkim, u arrestua dhe më pas edhe tentoi të lirohet, duke kujtuar se ishte një i moshuar me sjellje të mirë dhe që autoritet nuk ishin në gjendje të zbulonin se kush e kishte mbjellë realisht drogën.

Dosja që u bë e ditur për Gazetasi.al, tregon se si në tokën-arë në malet  e Fushë Krujës, policia gjeti në një sipërfaqe prej 85 metra katrorë skela hekuri dhe serë të mbuluar me plastmas. Brenda tyre, policia evidenton në dosje, se konstatoi drogën e mbjellë të llojit hashash. 

“Brenda nga  numërimi i përgjithshëm i bimëve të konstatuara në këto sera, kanë rezultuar 4.500 bimë të dyshuara nga aroma dhe karakteristikat si ato narkotike kanabis sativa”.

Por sera në fjalë u gjet ngjitur me banesën e njërit prej vëllezërve. Ndaj oficerët e FNSH-së raportojnë: “Në anën perëndimore të banesës së shtetasit L.T., dallohet një lidhje në formë "T"-je e një tubi plastik me diametër 32 mm, ku një lidhje vazhdon në krahun e djathtë në drejtim të serave, ndërsa në krahun e majtë vazhdon në drejtim në brendësi të banesës së shtetasit I.T. Gjithashtu, pranë parcelës në fjalë, është konstatuar një kabull elektrik, i cili ishte i lidhur në mënyrë të jashtëligjshme dhe që nëpërmjet tij i jepej korrent një prize. Nga policia gjyqësore është kryer asgjësimi me djegie i sasisë së bimëve të gjetura”.

Të vënë në vështirësi, policët, të cilët panë se toka ishte pranë shtëpisë së njërit prej vëllezërve, por energjia merrej tek tjetri, sipas dosjes që i tregohet Gazetasi.al, në fillim morën në pyetje njërin nga vëllezërit.

Ai  mohon gjithçka dhe jo vetëm pretendon se nuk kishte pronësi tokën në fjalë, por gjithashtu tregon me gisht nga vëllai i madh. I vogli shprehet në deklarime. “Bimët narkotike të gjetura nga ana e policisë, nuk janë të miat dhe nuk i kam kultivuar unë” .

Në deklarimin e dhënë, vëllai i vogël insiston se toka ku janë gjetur këto bimë të dyshuara narkotike, është e vëllait të madh, L.T.

“Edhe energjia është lidhur nga vëllai i madh dhe shërben për të lidhur pompën thithëse për të marrë ujë nga lumi dhe për të vaditur parcelën në fjalë”.

Në këto kushte, me dosjen dhe autorin pothuajse të gjetur, policia hap kartelën e vëllait të madh, i cili rezulton i padënuar.

Në dilemë, se cili e kishte mbjellë drogën, policia thekson në atë kohë se nisi kërkimet në të kaluarën e secilit prej anëtarëve të familjes.

Por për habi të policisë, me probleme doli babai i tyre, i cili menjëherë u shpall në kërkim së bashku me djalin e madh.

“Nga verifikimi i gjendjes civile, del se R.T., është babai i dy vëllezërve dhe jeton me të dy. Duke marrë parasysh faktin se parcela ka një sipërfaqe të konsiderueshme 80x85m2 rreth 1600 m2, ku për kultivimin e kësaj sasie të madhe nuk mund të kryhet nga një person i vetëm, faktin se këta persona me lidhje familjare midis tyre banojnë ngjitur me parcelën, ne dyshojmë që të tre janë autorë të ‘Kultivimit të  bimëve narkotike’ kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, shtetasi L.T., tej kësaj vepre, dyshohet se ka konsumuar edhe veprën ‘Vjedhja e energjisë elektrike’”, - shton dozat e hetimit Prokuroria e Krujës.

E teksa vëllezërit grinden me njëri-tjetrin, i pari që penalizohet është babai i tyre. I moshuari përfundoi në burg dhe siç ka raportuar më herët Gazetasi.al, për fenomenin e hashashit, i moshuari luan kartat me moshën e thyer.

“Personi nën hetim është në moshë relativisht të thyer dhe kryefamiljar, po kështu personi nën hetim është në një gjendje jo të mirë shëndetësore, sipas kartelës klinike, personi nën hetim dhe familja e tij karakterizohen nga një sjellje e mirë dhe korrekte, referuar karakteristikës lëshuar nga Bashkia Krujë“.

Me këto shkresa, i moshuari kërkoi daljen nga qelia për t’iu bashkuar anëtareve të tjerë.

“Kështu, pretendohet se nuk ekziston  një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova që të provojë kryerjen e veprës penale dhe për rrjedhojë askush nuk mund t‘i nënshtrohet masave të sigurimit personal. Hetimet janë thuajse të plota e nuk ekziston rrezik për prishjen e provave. Personi nën hetim ka mbushur tashmë moshën 65 vjeç, pra është në moshë të thyer“, - shprehet në dosje mbrojtja.

Por Gjykata e Krujës kundërshton: “Sa i takon pretendimit se personi nën hetim është kryefamiljar, në moshë relativisht të thyer, e karakterizohet nga sjellje e mirë, këto rrethana kanë ekzistuar që në momentin e caktimit të masës së sigurimit e verifikimit të kushteve të zbatimit të saj, si edhe në momentin e disponimit më të hershëm të kësaj gjykate për rrëzimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit personal. Në këtë kuptim, ato nuk përbëjnë rrethana të reja që të diktojnë zbutjen e nevojave të sigurimit. Më tej, në lidhje me pretendimin se kërkuesi ka mbushur tashmë moshën 65 vjeç, Gjykata vëren se një kriter i tillë nuk është i mjaftueshëm në vetvete për të diktuar apriori zbutjen e nevojave të sigurimit”.  

Në lidhje me argumentin e kërkuesit se hetimet janë thuajse të plota e nuk ka më rrezik për prishje provash, Gjykata vëren se masa e sigurimit është caktuar me argumentimin se në vlerësim tërësor të rrethanave të veprës së dyshuar, rrezikshmërisë së saj e të autorit, ai përbën efektivisht rrezik largimi, referuar edhe faktit që personi nën hetim ka qenë i dënuar edhe më parë, si dhe ka qenë në kërkim e për të është caktuar fillimisht një masë sigurimi në mungesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë