Ka ndodhur

Veliaj takon kryebashkiakun e Rotterdamit/Apel tifozëve: Respektoni autoritetet

Disa orë para ndeshjes në “Air Albania”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim kryetarin e Bashkisë së Rotterdamit, Ahmed Aboutaleb.

Kryebashkiakët vlerësuan atmosferën festive të krijuar në kryeqytet. Gjithashtu, u bënë thirrje tifozëve që të respektojnë qytetin dhe autoritetet.

"Tirana dhe Roterdami kanë një super marrëdhënie dhe super respekt për njëra-tjetrën. Ne kërkojmë që edhe tifozët, sportdashësit, si të Feyenoord-it, edhe të Romës, të ruajnë të njëjtin shpirt respekti, një frymë të kujdesit të ndërsjellë.
Dua shumë që të respektojmë autoritetet lokale, estetikën e qytetit, pastërtinë e qytetit dhe policinë”, tha Veliaj.

Ndërkaq, autoritetet vendase po bashkëpunojnë me homologët e tyre holandezë dhe ata italianë. Kreu i Bashkisë theksoi se një minorancë e vogël e tifozerive nuk do të shuajnë frymën e 99% të shumicës së tifozëve, që duan të shijojnë garën sportive dhe qytetin.

Kryetari i Bashkisë së Rotterdamit, Ahmed Aboutaleb, iu bëri thirrje tifozëve të ruajnë qetësinë.

“Është shumë bukur që UEFA vendosi ta organizojë këtë ndeshje në Tiranë. Shumë bukur që kjo ndeshje do të bëhet këtu, në një vend si ky, që e dashuron futbollin. Jam i lumtur që kanë ardhur shumë njerëz nga Rotterdami, nga Holanda, edhe njerëz që nuk kanë gjetur bileta. Prandaj, jam shumë i lumtur që Tirana ka bërë një përpjekje kaq të madhe për të ngritur zonat e tifozerisë ngado.Ka vendosur ekrane në pika të ndryshme, në mënyrë që njerëzit të mund të ndjekin ndeshjen”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë