Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka tërhequr delegimin e përkohshëm të kompetencave që i kishte dhënë Anuela Ristanit për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Vendimi është marrë duke iu referuar kuadrit ligjor për vetëqeverisjen vendore dhe Kodit të Procedurave Administrative, ndërsa në argumentimin e tij Veliaj e lidh tërheqjen e delegimit me zhvillimet e fundit kushtetuese dhe me mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Ristani.
Në dokument thuhet se urdhri nr. 366, datë 14 shkurt 2025, për “delegimin e përkohshëm të detyrave të Kryetarit të Bashkisë Tiranë”, ishte nxjerrë si “një instrument organizativ me karakter të përkohshëm”, me qëllim garantimin e vijimësisë së funksionimit të administratës dhe shërbimeve të Bashkisë së Tiranës në rrethanat e krijuara në atë periudhë.
Sipas argumentimit, situata institucionale ka ndryshuar pas vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur.
Në dokument theksohet se “mandati i Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës ka vijuar juridikisht dhe është njohur si i tillë në dy vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese”, ndërsa vendimmarrja më e fundit e kësaj gjykate, sipas Veliajt, ka eliminuar paqartësitë mbi vijimësinë dhe mbrojtjen kushtetuese të mandatit, si dhe mbi autoritetin që buron prej tij.
Pikërisht për këtë arsye, vendimmarrja e fundit e Gjykatës Kushtetuese konsiderohet nga kryebashkiaku si “një rrethanë e re dhe përcaktuese për raportet institucionale brenda Bashkisë së Tiranës”.
Në argumentim thuhet se ushtrimi i çdo kompetence të deleguar duhet të bëhet në përputhje dhe në koordinim të plotë me autoritetin e kryetarit të zgjedhur, mandati i të cilit, sipas dokumentit, është konfirmuar përfundimisht në planin kushtetues.
Veliaj argumenton gjithashtu se delegimi, për shkak të natyrës së tij të përkohshme dhe derivative, nuk mund të shndërrohet në një burim të pavarur kompetence.
“Delegimi i kompetencave mund të vijojë vetëm për aq kohë sa i shërben qëllimit për të cilin është dhënë dhe ushtrohet në respekt të autoritetit kushtetues dhe ligjor të organit delegues, pa u shndërruar në një burim autonom kompetence të shkëputur prej tij”, thuhet në dokument.
Një prej argumenteve kryesore të vendimit lidhet me atë që Veliaj e konsideron si shkëputje progresive të ushtrimit të kompetencave të deleguara nga autoriteti i kryetarit të zgjedhur.
Sipas tij, kjo është materializuar në “mungesën e informimit dhe të koordinimit institucional”, si dhe në “moszbatimin e vendimeve gjyqësore” dhe “moszbatimin dhe refuzimin e urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit”.
Në këto kushte, sipas argumentimit të vendimit, delegimi i kompetencave nuk po përmbush më qëllimin fillestar për të garantuar vijimësinë administrative, por është shndërruar në një pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të kryetarit të zgjedhur.
“Delegimi, në vend që të realizojë qëllimin e tij fillestar të garantimit të vijimësisë administrative, është shndërruar në pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të organit delegues”, thuhet më tej.
Veliaj vlerëson se këto rrethana, të marra së bashku me zhvillimet e fundit kushtetuese, përbëjnë një ndryshim thelbësor të kushteve institucionale në të cilat ishte dhënë delegimi.
Sipas tij, vijimi i delegimit është bërë i papajtueshëm me nevojën për një zinxhir të qartë përgjegjësie, funksionimin normal të administratës dhe ushtrimin efektiv të mandatit të kryetarit të zgjedhur.
Tërheqja e delegimit, sipas dokumentit, bëhet me qëllim “garantimin e ligjshmërisë, vijimësisë, stabilitetit dhe funksionimit normal të Bashkisë së Tiranës”, si dhe për të siguruar ofrimin e pandërprerë të shërbimeve publike dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve të Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje