Shendet

Covid-19 dëmton edhe organe jetësore të tjera veç mushkërive

Koronavirusi i ri fillon duke prekur qeskat e ajrit (hojëzat) në mushkëri dhe në këtë mënyrë bllokon furnizimin e gjakut me oksigjen, deri sa vret të gjitha organet thelbësore për jetën. Por mjekë në të gjithë botën po shohin prova që tregojnë se virusi gjithashtu mund të shkaktojë inflamacion të zemrës, sëmundje akute të veshkave, mosfunksionim neurologjik, mpiksje gjaku, dëmtim të zorrëve dhe probleme të mëlçisë. Ky zhvillim ka komplikuar trajtimin e rasteve më të rënda të covid-19, sëmundjen e shkaktuar nga virusi dhe e bën rrjedhën e shërimit më pak të sigurt.
“Gjysma e personave të shtruar në spital për shkak të COVID-19 kanë gjak ose proteinë në urinën e tyre, duke treguar kështu dëme të veshkave,”tha Alan Kliger, një nefrolog në Shkollën e Mjekësisë Yale.
Gjendja është edhe më alarmante tha mjeku, pasi të dhënat e hershme kanë treguar se 14 deri në 30 për qind e pacientëve në Kinë, kanë humbur funksionin e veshkave, duke u detyruar të kryejnë dializë.
"Ky është një numër i madh i njerëzve që kanë këtë problem. Kjo nuk është e re për mua. Unë mendoj se është shumë e mundur që virusi t'i bashkohet qelizave të veshkave dhe t'i sulmojë ato,”tha Kliger.
Por në mjekësi, konkluzionet logjike shpesh nuk vërtetohen kur bëhen kërkime. Të gjithë të intervistuar për këtë histori tregojnë se nuk tregohen të gjitha për këtë pandemi, kështu që kërkohen më hsumë të dhëna për të arritur në përfundime të sigurta klinike. Duhet të hetohen më shumë shkaqe të tjera të mundshme për dëmtimin e organeve dhe indeve, përfshirë shqetësimet e frymëmarrjes, ilaçet që pacientët morën, edhet dhe stresin e sëmundjes
Kur studiuesit në Wuhan kryenin autopsi te njerëzit që vdiqën nga covid-19, ata zbuluan se nëntë nga 26 kishin lëndime akute të veshkave dhe se shtatë kishin grimca të koronavirusit në veshkat e tyre, sipas një letre nga shkencëtarët në Wuhan botuar në 9 Prill në revistën mjekësore “Kidney International”.
"Kjo ngre dyshimin shumë të qartë se të paktën një pjesë e dëmtimit akut të veshkave që ne po shohim se është rezultat i përfshirjes direkte virale të veshkave, e cila është e dallueshme nga ajo që u pa në shpërthimin e SARS në 2002", tha Paul M. Palevsky, një nefrolog nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Pittsburgh dhe president i zgjedhur i Fondacionit Kombëtar të Veshkave.

Një spital në Nju Jork kohët e fundit kishte 51 pacientë të cilët kishin nevojë për trajtim 24-orësh në veshka, por kishte vetëm 39 aparatura për të bërë pastrimin. Spitali u detyrua të raciononte kujdesin, duke mbajtur më pak pacientë në terapi.
Virusi gjithashtu mund të dëmtojë zemrën. Mjekët në Kinë dhe Nju Jork kanë raportuar miokarditin, një inflamacion të muskulit të zemrës dhe ritme të parregullta të zemrës më të rrezikshme që mund të çojnë në arrest kardiak në pacientët me covid-19.
"Duket se ata kanë një frymëmarrje shumë të mirë dhe pastaj papritmas kanë një problem kardiak, gjë që është shumë e qartë që nuk ka lidhje me frymëmarrjen," tha Mitchell Elkind, një neurolog nga universiteti i Kolumbisë dhe president i zgjedhur i American Heart Association.
Një përmbledhje e pacientëve me sëmundje të rëndë në Kinë zbuloi se rreth 40 për qind vuanin aritmi dhe 20 për qind kishin ndonjë formë të dëmtimit kardiak. Koronavirusi i ri hyn në qelizat e njerëzve që janë të infektuar duke kyçur në receptorin ACE2 në sipërfaqet e qelizave. Ajo pa dyshim sulmon qelizat në traktin respirator, por ekziston dyshimi në rritje se po përdor të njëjtën portë për të hyrë në qelizat e tjera. Trakti gastrointestinal, për shembull, përmban 100 herë më shumë nga këta receptorë sesa pjesët e tjera të trupit dhe sipërfaqja e tij është shumë e madhe.
"Nëse e hapni atë, është si një fushë tenisi me sipërfaqe kjo zonë e jashtëzakonshme që virusi të pushtojë dhe të përsëritet vetë," tha Brennan Spiegel, bashkë-redaktor i revistës Amerikane të Gastroenterologjisë.
Në disa pacientë me sëmundje të rëndë covid-19, mjekët kanë gjetur nivele të larta të një citokine pro-inflamatore të quajtur interleukin-6, e njohur nga mjekët IL-6. Përgjigja e quajtur edhe "sindromi i lëshimit të citokinës", është njohur prej kohësh në pacientë të tjerë, përfshirë ata me sëmundje autoimune, siç janë artriti reumatoid ose në pacientët me kancer që i nënshtrohen imunoterapive të caktuara.

“Për pacientët me covid-19, stuhitë e citokinës janë një arsye kryesore që disa kërkojnë kujdes intensiv dhe ventilim. Kur citokinat tuaja janë jashtë kontrollit sistematik, ndodhin gjëra të këqija. Mund të jetë një katastrofë e plotë. Nuk është e qartë pse stuhitë e citokinës ndodhin në disa pacientë dhe jo në të tjerë, megjithëse faktorët gjenetikë mund të luajnë një rol kresor,”tha Jeffrey S. Ëeber, zëvendësdrejtor i Qendrës së Kancerit në Nju Jork.
Një tjetër simptomë e çuditshme dhe tani e njohur, si simptoma e covid-19 është humbja e nuhatjes dhe shijes. Claire Hopkins, president i Shoqatës Rinologjike Britanike, tha që studimet e pacientëve në Itali dhe gjetkë kanë treguar që disa e humbin ndjesinë e nuhatjes përpara se të shfaqnin shenja të të qenit i sëmurë.
"Koronavirusi në të vërtetë mund të sulmojë dhe të pushtojë mbaresat nervore nuhatëse. Kur këto fibra zbuluese të aromës janë ndërprerë dhe ato nuk mund të lidhen me trurin," tha Hopkins.
Ekzistojnë gjithashtu raporte që covid-19 mund të dëmtojë sytë e njerëzve, duke shkaktuar konjunktivit, në disa pacientë. Një studim i 38 pacientëve të shtruar në spital në provincën Hubei, Kinë, zbuloi se një e treta kishin këtë problem.
Por, si shumë nga efektet jo-respiratore të virusit, kjo simptomë mund të jetë relativisht jo e zakonshme dhe mund të zhvillohet vetëm tek njerëzit tashmë të sëmurë rëndë. Fakti që virusi është gjetur në mukozën që mbulon syrin në një numër të vogël të pacientëve, megjithatë, tregon që syri mund të jetë një hyrje për virusin dhe është një arsye që mburojat e syzeve janë duke u përdorur për të mbrojtur punonjësit e kujdesit shëndetësor. Virusi gjithashtu ka një ndikim të qartë në traktin gastrointestinal, duke shkaktuar diarre, të vjella dhe simptoma të tjera. Një studim zbuloi se gjysma e pacientëve me covid-19 kanë simptoma gastrointestinale.
Një rrezik i veçantë i virusit është tendenca e tij për të prodhuar mpiksje gjaku në venat e këmbëve dhe enëve të tjera, të cilat mund të shkëputen, të udhëtojnë në mushkëri dhe të shkaktojnë vdekje nga një gjendje e njohur si emboli pulmonare. Një ekzaminim i 81 pacientëve të shtruar në spital me pneumoni të shkaktuara nga covid-19 në Wuhan zbuloi se 20 kishin ngjarje të tilla dhe se tetë prej tyre vdiqën. Të dhënat e vlerësuara nga kolegët u botuan në internet në 9 Prill në revistën “ Journal of Thrombosis and Hemostasis.
“Në Nju Jork, holluesit e gjakut po përdoren me pacientë të Covid-19 shumë më tepër sesa pritej, tha Sanjum Sethi, një kardiolog dhe profesor në universitetit Columbia./The Washington Post/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë