Bota

Vdes në spitalin e burgut bosi i mafies italiane Matteo Messina Denaro

Gazeta Si - Bosi i mafies italiane, Matteo Messina Denaro, vdiq këtë të hënë nga pasojat e kancerit të zorrës së trashë në fazën terminale.

Bosi mafioz i Castelvetranos ishte në repartin e burgut të spitalit San Salvatore në L'Aquila. Arrestimi i tij, pas 30 vitesh në arrati, daton në janar të këtij viti.

Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua në javët e fundit dhe ai u dërgua në një spital nga burgu i sigurisë së lartë në Italinë qendrore.

Mjekët ndaluan së ushqyeri Denaron, pasi ai kishte rënë në koma të pakthyeshme.

Denaro ishte dënuar për krime të shumta, përfshirë për rolin në planifikimin e vrasjeve të prokurorëve anti-mafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino më 1992. Këto krime e tronditën Italinë dhe nxitën një luftë ndaj mafisë siciliane.

Ai ishte përgjegjës edhe për sulmet me bombë në Romë, Firencë dhe Milano më 1993, ku si pasojë vdiqën 10 njerëz, si dhe për organizimin e rrëmbimit dhe vrasjes së djaloshit 12-vjeçar Giuseppe Di Matteo, në përpjekje për ta bindur babanë e tij të mos dëshmonte në gjyq kundër mafias.

Ai ishte mbajtur peng për dy vjet, pastaj ishte vrarë.

I biri i një mafiozi, Messina Denaro u lind në qytetin jugperëndimor të Sicilisë, Castelvetrano në vitin 1962. Njëlloj si babai i vet, ai iu bashkua mafias herët dhe në moshën 15-vjeçare barte revole.

Policia thotë se ai e kreu vrasjen e parë kur ishte vetëm 18 vjeç.

Denaro vetë kishte deklaruar më parë se kishte vrarë aq shumë njerëz mjaftueshëm sa për ta mbushur një varrezë.

Ai u fsheh në vitin 1993, pasi shumë pjesëtarë të mafias filluan t’i ofronin policisë hollësi për rolin e tij në mafia, por hetuesit besojnë se ai rrallëherë u largua nga Sicilia.

Denaro nuk u martua kurrë, por kishte një numër të dashurash. Ai shkroi se e kishte një vajzë, të cilën nuk e takoi kurrë

Ai e humbi betejën me kancerin për vetëm tetë muaj. Tetë muaj të kaluar në një "burg të vështirë" në L’Aquila dhe më pas në atë të spitalit të qytetit, për shkak të tumorit që kishte shkaktuar kapjen e tij në 16 janar 2023.

“Më kapët për shkak të sëmundjes, pa të nuk do të më kishit gjetur”, i kishte thënë ai me një ton provokues prokurorit të Palermos de Lucia dhe zëvendësit të tij Paolo Guido, në pyetjet e muajit shkurtit pas arrestimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë