Ka ndodhur

Vdes në spital 4 ditë pas një sherri 46-vjeçari në Tiranë. Viktima përplasi kokën në trotuar

Gazeta Si - Një sherr i ndodhur 4 ditë më parë në Tiranë në zonën e ish-Bllokut mes dy personave që nuk njiheshin më parë, i kushtoi jetën 46-vjeçarit Gentian Talja.

Policia thotë se si pasojë e plagëve të marra në trup, Talja ndërroi jetë një ditë më parë në spital. Në një njoftim për mediat këtë të mërkurë, policia sqaron se viktima u konfliktua me 25-vjeçarin Henri Gjapi, pasi të dy ishin në gjendje të dehur.

Për të shuar sherrin mes dy kalimtarëve të rastësishëm, ka ndërhyrë shtetasi Artur Gjolena, i cili nuk mundi ta parandalojë konfliktin që përfundoi në një tragjedi.

Ngjarja ndodhi në rrugën “Vaso Pasha” në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet të shtunën në mbrëmje. Fillimisht ishte 25-vjeçari Henri Gjapi, ai i cili u përplas me 46-vjeçarin Talja, duke e lënë të plagosur rëndë këtë të fundit. Ndërsa Artur Gjolena ndërhyri duke goditur 25-vjeçarin Gjapi.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të datës 31 mars, ndërsa mësohet se të dy, Talja dhe Gjapi kanë qenë në gjendje të dehur.

Si viktima, ashtu edhe autori i dyshuar, nuk njiheshin më parë me njëri-tjetrin dhe janë takuar krejt rastësisht në vendin ku ka ndodhur ngjarja.

Nga kamerat e sigurisë në zonë, vërtetohet se Talja dhe Gjapi janë konfliktuar me duar. Aty pranë ka kaluar rastësisht edhe 41-vjeçari Gjolena që i ka ndarë.

Dyshohet se pak minuta më vonë, 46-vjeçari Talja është ndjerë keq dhe është rrëzuar në tokë duke dëmtuar kokën në trotuar.

Si pasojë e plagës së marrë është dërguar në spital dhe për 10 orët e para që nga momenti i ngjarjes, ai ka patur një përmirësim të gjendjes shëndetësore dhe kishte kaluar edhe rrezikun për jetën, sipas edhe bluzave të bardha.

Më pas, 46-vjeçari ka patur edhe komunikime me oficerët e policisë dhe familjarët për rrethanat e ngjarjes.

Por pas 10 orësh, gjendja e tij është përkeqësuar dhe është futur në intubim deri mbrëmjen e të martës, ku dhe ka ndërruar jetë.

Autoritetet e shoqëruan fillimisht 25-vjeçarin Gjapi gjatë kohës që Talja ishte në gjendje të stabilizuar në spital. Por rrethanat e ngjarjes ndryshuan në momentin që 46-vjeçari ndërroi jetë dhe i riu Gjapi përballet tashmë me akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Ai nuk është gjetur në shtëpi dhe u shpall në kërkim nga policia për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë