Shendet

Vdekjet pas vaksinimit, Alimehmeti: ‘Sinovac’ i certifikuar nga Kina për moshat deri 59 vjeç

Në vetëm 10 ditë, në vendin tonë janë vaksinuar me një dozë të parë të vaksinës kineze Sinovac mbi 160 mijë të moshuar të moshave mbi 70 vjeç, ndërsa është thënë se do të ketë vaksinime për personat mbi 60 vjec dhe të sëmurët kronikë.

Ilir Alimehmeti, mjek epidemiolog, në një intervistë për BalkanWeb ka analizuar zhvillimet më të fundit në Kinë ku sipas tij vaksina Sinovac aplikohet për moshat poshtë 60 vjeç.

Mjeku epidemiolog, thotë se vetë Kina, prodhuesi i vaksinës nuk është bindur ende për të licencuar përdorimin e gjerë të saj mbi moshën 60 vjeç. Nisja e vaksinimit masiv me vaksinën kineze sinovak ka hasur jo pak në skepticizmin e një pjese të popullatës si dhe në kundërshtinë e opozitës që thotë se më parë vaksina do të duhej të certifikohej nga institucionet ndërkombëtare.

Për më tepër dyshimet u ngritën pas raportimit në media të dy jetëve të humbura, 88 dhe 73 vjeç pak ditë pas kryerjes së vaksinës. Qeveria mohoi lidhjen shkak pasojë midis vaksinës dhe humbjes së jetëve edhe pse asnjë nga rastet nuk iu nënshtrua autopsisë.

Alimehmeti thotë se asnjë nga kompanitë kineze nuk kanë depozituar dosjen pranë agjensive ndërkombëtare të barnave si FDA dhe EMA. Ndaj dhe sipas tij ka pak gjasa që licencimi i tyre të ndodh brenda 2021. Por përdorimi i vaksinës kineze ka ngritur edhe një pikëpyetje të madhe nëse personat e vaksinuar me të do të kenë ose jo të drejtë për të lëvizur lirisht në Europë, Amerikë a më gjerë?

“Pasaporta vaksinale është një gjë e pamundur edhe për vetë Uninion Europian. E para, se jo të gjithë shtetasit europian do të mund të vaksinohen brenda vitit 2021 për shkak të sasisë së limituar të vaksinave. E dyta: Nga vaksinimi përjashtohen moshat poshtë 18 vjeç që sërish do të privohen nga lëvizja e lire”, thotë Alimehmeti.

Eksperti thotë se diskutimi ‘Po’ ose ‘Jo’ i pasaportës së vaksinës që ka nisur në BE është më shumë një debat burokratik sesa një nevojë shëndetësore dhe si e tillë pak gjasa ka të ndodh.

Burimi: BalkanWeb


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë