Njerez

‘Vdekja ka vetëm një problem, ajo zgjat përgjithmonë’/ 11 vjet nga vdekja e Marquez

Nga Gazeta “SI”– Me 17 prill 2014 ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare nga pneumonia, Gabriel Garcia Marquez një nga shkrimtarët më të mëdhënj në botë, fitues i çmimit Nobel në vitin 1982. Romanet e tij “100 vjet vetmi”, “Vjeshta e patriarkut” apo “ Kolonelit s’ka kush ti shkruajë” e rradhiten atë ndër emrat që e shndërruan realizmin magjik në një rrymë mbarëbotërore.

Ditët e fundit të jetës së tij, vinë nëpërmjet kujtimeve të të birit, kujtime të cilat ai përmblodhi në një botim më titull “ Lamtumirë Gabo dhe Mercedes”. Në këtë libër ai shkruan:

“Kur Gabriel García Márquez po shkruante “Njëqind vjet vetmi” në vitet 1960, ai tha se një nga momentet më të vështira ishte kur arriti te vdekja e kolonelit të paharrueshëm Aureliano Buendía. “Gabo,” siç ishte i njohur popullarisht autori kolumbian, doli nga studioja e shtëpisë së tij në Qytetin e Meksikës dhe shkoi të kërkonte gruan e tij, Mercedes Barcha, në dhomën e gjumit. “E vrava kolonelin,” i tha asaj, i zemëruar. “

Ajo e dinte çfarë do të thoshte kjo për të dhe qëndruan në heshtje me lajmin e trishtuar,” thotë Rodrigo García, duke kujtuar dhimbjen e prindërve të tij

Sipas librit të të birit, García Márquez vuante në ditët e fundit,  kujtimet fillonin t’i fshiheshin dhe kishte vështirësi të kujtonte fytyra dikur të njohura.

“Pse është ajo grua këtu duke dhënë urdhra dhe duke vrapuar nëpër shtëpi sikur të mos ishte e imja?” thotë García Márquez në një nga pasazhet e librit, kur nuk e njeh gruan e tij.

“Kush janë ata njerëz në anën tjetër të dhomës?” e pyet një punëtore shtëpie për dy djemtë e tij, Rodrigon dhe Gonzalon.

 “Kjo nuk është shtëpia ime. Dua të shkoj në shtëpi. Në shtëpinë e babait,” thotë një herë tjetër, duke dashur të kthehet në shtëpinë e gjyshit të tij, një kolonel që e rriti deri në moshën tetëvjeçare dhe që frymëzoi karakterin e Aureliano Buendía-s.

Por gjatë ditëve të fundit, García Márquez ishte gjithashtu në gjendje të kujtonte momentet më të dashura të fëmijërisë së tij në Aracataca, fshati kolumbian ku ai lindi në vitin 1927. Shkrimtari  mund të recitonte ende përmendësh poezi të Epokës së Artë Spanjolle. Dhe kur nuk mundej më, “ai mund të këndonte ende këngët e tij të preferuara,” thotë García.

Laureati i Nobelit i kaloi ditët e fundit duke dëgjuar vallenato, muzikën popullore të rajonit Karaibe të Kolumbisë me të cilën ishte rritur.

“Edhe në muajt e fundit, kur nuk mund të kujtonte gjëra, sytë i ndizeshin me emocion që në notat e para të një akordeoni klasik,” shkruan García në librin e ri.

 “Në ditët e fundit, infermieret filluan t’i vinin vallenato-t me volum të lartë në dhomë, me dritaret hapur.” Këngët e kompozitorit kolumbian Rafael Escalona mbushnin shtëpinë në Meksikë si ninulla për t’i dhënë lamtumirën.

“Më kthejnë te e kaluara e tij si asgjë tjetër,” shprehej Gabrial  García.

Megjithëse shkrimtari i famshëm vuante nga demencia, García thotë se faza e fundit e jetës së tij ishte më e lehtë.

Marquez me bashkëshorten, Mercedes

 “Ka një fazë të tmerrshme ku personi është i vetëdijshëm se po humbet kujtesën. Të shohësh dikë jo vetëm pa aftësitë e tij, por edhe shumë të shqetësuar për këtë, është e tmerrshme dhe shumë e rëndë. Faza e fundit ishte e trishtuar, por më e qetë. Ishte i qetë, nuk ishte në ankth, ishte shumë i shpërqendruar. Nuk kujtonte shumë gjëra, por ishte mirë, i qetë, dhe kjo na ngushëllonte.  Gabo ndërroi jetë qetësisht dhe në heshtje. ” shpjegon Rodrigo Garcia.

Ai vetë para vdekjes së tij do të shprehej “ Vdekja ka një problem, ajo zgjat përgjithmonë” një shprehje e cila në rastin e Garcia Marquez e humbet kuptimin sepse shkrimtarët e mëdhenj kanë një destin të paracaktuar, të vdesin vetëm fizikisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë