Ardit Hoxha - Një skelë e shkëputur nga pallati, ku punonin disa punëtorë ka shkaktuar tragjedi në Tiranë. “Dëgjuam një zhurmë të madhe, pastaj i gjithë pallati u lëkund dhe ngjante sikur po binte tërmet…” kështu tregon një banor i pallatit, momentet e para ku humbën jetën dy punëtorët Orjan Kodraj, 36 vjeç dhe Ergys Brahimaj, 31 vjeç.
Ngjarja e rëndë, ndodhi në rrugën “Faik Konica” në një nga pallatet e larta të kësaj lagje, i cili prej disa muajsh i ishte nënshtruar një rikonstruksioni të fasadës. Përveç dy viktimave, tre punëtorët e tjerë të aksidentuar në këtë ngjarje janë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, pasi ende nuk e kanë kaluar rrezikun për jetën.
Si ndodhi ngjarja
Duke qenë se punimet ishin në fazën e tyre të fundit në pjesën e pasme të pallatit 14-katësh, të pestë punëtorët kishin filluar çmontimin e saj. Ende është e paqartë se si ka ndodhur që skela të shkëputet, por diçka ka shkuar keq dhe struktura metalike e kompanisë “Syla” është rrëzuar e gjitha përtokë. Të pestë punëtorët morën plagë të rënda, por vetëm dy prej tyre ishin më fatkeq.
Pas rrëzimit të skelës, Orjan Kodraj dhe Ergys Brahimaj mbetën të bllokuar nën rrënojat e skelës së rrëzuar. Për disa orë ata ishin ende në jetë. Dëshmitarët që panë gjithë skenën thanë për Gazeta Si, se në disa momente për zjarrfikësit dhe forcat e policisë drejtoheshin thirrjet e dy viktimave për ndihmë. Mali i madh me hekurat dhe dërrasta e skelave ishte shumë i madh dhe për forcat zjarrfikëse do të duhej goxha kohë për të arritur tek dy punëtorët. Kur u arrit që të hiqen të gjitha hekurat dhe dërrasat, ishte tepër vonë dy të rinjtë e kishin humbur betejën e tyre me jetën.
Pistat e hetimit mbi shkakun e ngjarjes
Pikëpyetjet e para në lidhje me motivin e kësaj ngjarje të rëndë ngrihen menjëherë për sigurinë në kushtet e punës. Në vendin e ngjarjes pak minuta pasi u nxorën dy viktimat mbërritën disa specialiste të krimeve në Policinë e Shtetit dhe nga Prokuroria që këqyrën dhe morën provat e para në terren. Paraprakisht dyshohet për një gabim në lidhjen e skelës me pallatin, por edhe një këputje të lidhësve.
Dyshime të mëdha për mungesën e kushteve të sigurisë ngrihen për faktin nëse punëtorët kanë qenë të pajisur me mjetet e duhura mbrojtëse në momentin kur skela është shkëputur. Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e administratorit dhe inxhinierit të firmës “Syla”, që kishte marrë përsipër këto punime. Deri në sqarim e plotë të kësaj tragjedie, të dy të rinjtë i shtohen numrit të punëtorëve shqiptarë që kanë humbur jetën për shkak të mungesës së sigurisë në vendin e punës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.