Ngjarje

Vdekja e Lear Kurtit, protestojnë qytetarët në Tiranë: ‘Kë thërret kur policia vret?’

Me flakadanë dhe thirrjet "Drejtësi për Learin" dhjetëra qytetarë protestuan para Ministrisë së Brendshme për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti, i cili ndërroi jetë pak pasi u shoqërua nga policia një ditë më parë.

Në shenjë homazhesh ata kanë ndezur qirinj për 32-vjeçarin para ambienteve të Ministrisë së Brendshme ku dhe i bënë thirrje ministrit të brendshëm Bledi Çuçit të japë dorëheqjen.

Një nga qytetarët, i cili mbante një pankartë ku lexohej “Kë therret kur policia vret”, ka deklaruar se ky është një rast i përsëritur. Gjithashtu në thirrjet “Polici e krimit”, ata kërkuan bashkim të qytetarëve dhe kundërshtim të dhunës policore.

Një protestë qytetare u mbajt edhe në qytetin e Lezhës. Ata u mblodhën gjithashtu mbrëmjen e së shtunës duke ndezur qirinj dhe vendosur lule në rrugët e qytetit, në kujtim të 32-vjeçarit.

Qytetarët kanë ngritur dyshime për procedurat e ndjekura nga policia pas vdekjes së të riut duke i cilësuar ato si të dyshimta në tentativë për të manipuluar ngjarjen.

Nga Ministria e Brendshme protestuesit marshuan drejt kryeministrisë duke përsëritur thirrjet e tyre për drejtësi.

Autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka konfirmuar se 32-vjeçari Lear Kurti vdiq pasi gëlltiti një qese me lëndë të dyshuar narkotike.

Me të njëjtin qëndrim, dolën edhe Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Autopsia ka konfirmuar se në stomakun e viktimës, është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5x5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë