Në konferencën e përjavshme për shtyp, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se 32 vjeçari Lear Kurti u vra nga policia, pavarësisht përfundimeve paraprake që ka nxjerrë AMP.
“…Asnjë rregull nuk është respektuar në hetimin e kësaj vrasje. Në hetimin e kësaj barbarie ndaj një njeriu. Të supozojmë se këtij i ndaloi zemra vërtet, por për të faktuar këtë gjë, duhej korrektesa absolute në çdo hap. Nuk vdes natyralisht një i ri 32-vjeçar. Ka injorancë të kriminelëve që shpallin një gjë të tillë. Është përjashtim i të gjitha përjashtimeve…
Që një autopsi të japë rezultatin e pritshëm, duhet lënë të paktën 12 orë. Kur vdes një 32-vjeçar, që është subjekt i një hetimi, autopsia bëhet nga grup ekspertësh dhe jo nga një ekspert i vetëm nën terrorin e Ardi Veliut. Jo një ekspert i vetëm…
U përsërit skenari i Klodian Rashës. Atëherë Ardi Veliu njoftoi se në një pellg u gjet një revole. Dje ai njoftoi se në stomak u gjet një qese plastike me kokainë. Iu vendos një qese me kokainë njësoj si revolja në pellg…
Qesja ka shumë shanse që është vendosur me dorë. Të kapërdish një qese është jashtë imagjinate. Duhet të kesh aty të paktën një filxhan me vaj ulliri që ta shtysh. Si kalon qesja në ezofag, këtë e di Ardi Veliu…
Edhe po të jetë qesja, ajo kurrsesi nuk është vdekjeprurëse”, tha ai, duke ftuar qytetarët të dalin në protestë për rastin në fjalë.
“…Të rinjtë kanë lënë një protestë. Ftoj të gjithë qytetarët të bashkohen në protestë. Sepse pritet kush do jetë i riu i radhës që do ekzekutohet nga policët e droguar, ose që do humbasë jetën nga keqtrajtimet brutale…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.