Ngjarje

Vdekja e Kobe Bryant/ Mjegulla shkak i aksidentit, janë 9 viktimat

Dyshohet të ketë qenë koha e keqe dhe mjegulla e dendur shkak për rrëzimin e helikopterit me 9 persona në bord, mes tyre edhe ish-basketbollisti i madh amerikan, Kobi Brajant, dhe vajza e tij 13-vjeçare Giana. Të gjithë humbën jetën nga ky aksident tragjik. Zyrtarët e policisë në Los Anxheles kanë pohuar në një konferencë shtypi pas aksidentit se shikueshmëria në atë zonë ishte shumë e ulët. Policia kishte vendosur që helikopterët e saj të mos fluturonin atë ditë, ndërsa ai i legjendës Kobi Brajant ishte nisur nga aeroporti “John Wayne” dhe ishte rrëzuar 40 minuta më pas në zonën e Kalabasas, në perëndim të Los Anxheles, pasi kishte kaluar qytetin.

Helikopteri po shkonte drejt Thousands Oaks në Kaliforni, ku vajza e ish-basketbollistit do të luante një ndeshje në turneun “Mamba Cup”, i organizuar nga “Mamba Sports Academy”, projekti i lidhur me basketbollin post NBA i 41-vjeçarit. Edhe pse autoritetet nuk i kanë publikuar emrat e viktimave, është konfirmuar se në helikpter ishte Xhon Altobeli, trajner basketbolli i “Orange Coast College”. Altobeli ishte bashkë me vajzën 13-vjeçare Alisia, shoqe skuadre me Giana Brajant, dhe bashkëshorten Keri. Në aksident, përveç pilotit të helikopterit, ende pa emër, ka ndërruar jetë edhe Kristina Mauser, asistente e Kobi Brajant në skuadrën e së bijës, siç ka konfirmuar bashkëshorti i saj në rrjetet sociale.

Vendi ku ra helikpteri i Kobi Brajant. Gazeta Si, 27 janar 2020

Për të nxjerrë trupat e viktimave, sipas zyrtarëve të policisë, duhen ditë, pasi helikpteri është rrëzuar në një zonë të thepisur. Me hetimet e ngjarjes, siç ndodh në këto raste, po merret edhe FBI-ja, ndërkohë që të dielën në mbrëmje është izoluar zona.

Los Anxheles u paralizua befasisht të dielën nga lajmi tragjik i ndarjes nga jeta të një prej yjeve më të dashur në qytet. “Staples Center”, shtëpia e Lejkërsave, po organizonte një aktivitet dhe menjëherë numrat 8 dhe 24, që janë tërhequr për nder të Kobit, janë mbulur me një mbulesë të zezë, ndërsa jashtë fansat janë grumbulluar me shpejtësi për t’i bërë homazh legjendës në një memorial të improvizuar. I gjithë qyteti i ka bërë homazh një sportisti, i cili, edhe pse ishte tërhequr nga basketbolli, kishte mbetur një simbol. Bashkëshortja Vanesa dhe tri vajzat e tjera, Natalia, Bianka dhe Kapri, nuk ishin në atë helikopter të mallkuar fatmirësisht. Helikopteri i tipit “Sikorsky S-76B” ishte prodhuar në vitin 1991.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/180104779881806/?t=7
Vendi ku ra helikopteri. Gazeta Si, 27 janar 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë