Filma

“Vdekja e kalit” i restauruar çeli “Netët e Filmit Arkival”

30 vjet pas realizimit të tij, filmi shqiptar “Vdekja e kalit”, me regji nga Saimir Kumbaro, u rishfaq i restauruar në Tiranë, në çelje të “Netëve të Filmit Arkival”.

Filmi i restauruar erdhi premierë nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit fillimisht në maj në versionin online, ndërsa mbrëmjen e së hënës erdhi për publikun artdashës në Parkun Olimpik, ku bëri bashkë aktorë dhe dashamirës të filmave.

Bazuar në një histori të vërtetë, “Vdekja e Kalit”, ka veçantinë e të qenit drama e parë filmike shqiptare e realizuar pas rënies së regjimit komunist.

“Vdekja e kalit zë një vend të veçantë në kinematografinë shqiptare. Është filmi i parë i bërë në vendin tonë pas mbarimit të diktaturës 46-vjeçare”, do të shprehej për Gazetën “Si”, Iris Elezi, drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, kur filmi u shfaq në versionin online në maj të këtij viti.

Filmi është realizuar në vitin 1992 dhe mban firmën regjisoriale të Saimir Kumbaros dhe skenar të Nexhati Tafa.

Sipas drejtoreshës Elezi, është përzgjedhur filmi “Vdekja e Kalit”, pasi sjell dekadat e diktaturës me një sinqeritet dhe freski, që rrallë është ndier në filmat shqiptarë.

Drama zhvillohet në vitin 1974, vit në të cilin regjimi akuzoi ushtrinë për tradhti dhe vjen nën interpretimin e aktorëve Timo Flloko, Rajmonda Bulku dhe Tinka Kurti.

Ministri i Mbrojtjes në atë kohë u ekzekutua së bashku me një gjeneral të rangut të lartë, Petrit Dume.

Personazhi kryesor në filmin “Vdekja e kalit”, trajneri i kuajve Agroni, paralelizon historinë e Petrit Dumes. Sidoqoftë, personazhi i trilluar, Agroni, nuk është një gjeneral, por një trajner ushtarak i kuajve që bën gjithçka që mundet për të shpëtuar kalin e tij të dashur. Por ndërsa përpiqet të shpëtojë kalin e bardhë, Agroni dhe familja e tij kalojnë nëpër një sërë ngjarjesh tragjike.

Filmi është skanuar nën mbikëqyrjen e ekspertit të restaurimit Shai Drori dhe restaurimi digjital është përfunduar nga kineasti australian, Steven Kastrissios.

Sipas Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, programi “Sezoni i filmave klasikë” ka si qëllim të inkurajojë restaurimin digjital të artit kinematografik europian si dhe të sjellë vëmendjen e publikut drejt punës që bëhet nga arkivat e filmit në Europë, duke shfaqur në internet dhe në kinema, kurdo që kjo të jetë e mundur, filma pa pagesë. Premiera botërore online e restaurimit të filmit “Vdekja e kalit”, u shfaq nga data 19 deri më 26 maj edhe në versionin anglisht.

Njëzet e dy institucione nga e gjithë Europa, përfshirë edhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, po marrin pjesë këtë vit në nismë, duke i krijuar mundësinë publikut të njihet me historinë e kinematografisë dhe me ruajtjen e trashëgimisë filmike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë