Ngjarje

Vdekja e 56-vjeçarit në Selenicë nuk ishte aksidentale, i biri i vendosi tritol te soba me gaz. Policia: Vrasja për shkak të dhunës

Gazeta Si - Vdekja e 56-vjeçarit Dyrmish Gllucaj një ditë më parë në fshatin Gjorm të Selenicës, duket se nuk ka qenë aksidentale.

Ngjarja, e cila fillimisht u raportua nga policia për shkak të shpërthimit të një bombule gazi, dyshohet të jetë një krim brenda familjes.

Sipas policisë së Vlorës, 56-vjeçari është vrarë nga djali i tij Mato Gllucaj, 23 vjeç me lëndë eksplozive të vendosur në sobën me gaz. Një veprim që është bërë për të fshehur gjurmët e krimit.

Mësohet se i riu e ka vënë lëndën plasëse në sobën me gaz në oborrin e banesës së tyre, duke i shkaktuar kështu vdekjen babait të tij, ku sipas policisë, shkak për krimin e rëndë është bërë dhuna e vazhdueshme e viktimës ndaj djalit të tij.

Të premten fillimisht ngjarja u raportua si aksidentale për shkak të shpërthimit të bombulës së gazit. Por fakti që ngjarja ndodhi në oborr, ngriti dyshime se ishte vendosur eksploziv. Lajmi u saktësua brenda pak orësh, kur në njoftim të dytë sërish u fol për shpërthim të bombulës. Por hetimet dhe analiza e lëndës plasëse solli sërish akuzën për vrasje të organizuar.

Djali kishte vendosur lëndë eksplozive në sobën me gaz që qëndronte në oborrin e shtëpisë. Veprimi rezultoi fatal për babanë, i cili ndërroi jetë rrugës kur po transportohej në spital.

Madje policia thotë se ka sekuestruar edhe mekanizmin elektrik të përdorur për shpërthimin. Ajo që e bën akoma më të rëndë ngjarjen, janë provat materiale të sekuestruara në banesën e Gllucajt.

Që nga granatat e dorës, kallëpet e tritolit e deri te fishekë e armë zjarri. Nuk dihet ende se pse 23-vjeçari posedonte këtë arsenal luftarak.

Pas zbulimit të ngjarjes, policia ka gjetur në banesë një arsenal të madh armatimesh, granatash dhe mjeteve që shërbejnë për të aktivizuar eksplozivë në distancë.

Kështu, janë sekuestruar: mekanizmi elektrik, me të cilin është realizuar shpërthimi, 25 granata dore difensive, 37 kallëpe me lëndë plasëse tritol (me peshë 400 gr. secila), 43 kapsolla detonatore, 5 ndezësa granatash, 1 armë zjari pushkë, 1 celular, 2 thika, 310 fishekë luftarakë, 12 krehra për armë zjarri, 2 radio marrëse-dhënëse, kapuça dhe veshje për mbulimin e fytyrës dhe mjete për punime elektrike me ngjitje. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë