Drejtësia

Vdekja e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes te klinika e mjekut Roland Xhaxho, mjekët italianë do kryejnë ekspertizën

Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës ka pranuar ndihmën e një grupi specialistësh mjeko-ligjorë nga Italia për kryerjen e ekspertizës shkencore për të përcaktuar shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit, Brian Spahiu.

I mituri gjeti vdekjen në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor, 3 ditë pas ndërhyrjes në një klinikë dentare private në Tiranë të mjekut Roland Xhaxho.

Ekspertiza për shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit, shkaktoi edhe përplasje mes Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, akti i parë i ekspertizës që përcaktoi shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit, mbidozë e narkozës dhe që shkaktoi mos funksionim të organeve, ishte i paplotë dhe konkluzioni ishte i pasaktë, ndaj për këtë arsye u kërkua ri-ekspertizë.

Një tjetër arsye që u kërkua riekspertizë, ishte dhe fakti që sipas prokurorisë mjekët specialistë janë në konflikt interesi me personat nën hetim, përfshirë mjekun Roland Xhaxho.

Në janar të këtij viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore, në një reagim e cilësoi kërkesën e prokurorisë për ekspertizën e mjekëve të huaj si "një fyerje të rëndë për shkencën dhe mjekësinë".

Nga ana tjetër, sipas mjekësisë ligjore, janë kryer si duhet procedurat për caktimin e shkakut të vdekjes. Sipas IML-së, krahas dy mjekëve që kryen autopsinë, morën pjesë edhe dy mjekë të tjerë të IML-së, të cilët janë specialistë të anatomisë patologjike.

Babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho janë në hetim në gjendje të lirë nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale “Neglizhenca ne trajtim mjekësor”.

Dyshimet e para flasin se vdekja e fëmijës ka ardhur si rezultat i narkozës, por ende nuk është provuar shkencërisht.

Për t’i dhënë përgjigje kësaj enigme, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar me një letërporosi autoriteteve italiane, duke caktuar tre mjekë ligjorë për kryerjen e ekspertizës shkencore, me qëllim nxjerrjen e shkaqeve të vdekjes së vogëlushit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë