Gazeta Si - Thuajse një vit nga vdekja e 3-vjeçarit Brian Spahiu gjatë një ndërjyrje kirurgjikale në dhëmbë, Prokuroria e Tiranës refuzon t’u përgjigjet famljarëve të viktimës për vazhdimësinë e hetimeve.
Prindërit e të miturit kanë kërkuar në organin e akuzës detaje në lidhje me fazën se ku ndodhen hetimet, shkakun e vdekjes së vogëlushit dhe personat përgjegjës, por janë përballur me një shkresë, përgjigjen e të cilës ata nuk e prisnin.
Në përgjigjen e Prokurorisë, thuhet se “të drejtën për të marrë informacion në lidhje me procesin, e ka vetëm viktima e veprës penale”. Ndërkohë që 3-vjeçari ka ndërruar jetë.
“Këto janë të drejta sipas parashikimeve ligjore të këtij kodi, konkretisht neni 58, pika d) i ka vetëm viktima e veprës penale dhe gjithmonë pa cenuar parimin e sekretit hetimor. Ndërsa të drejtën për të kërkuar informacion lidhur me arsyet e kryerjes apo jo të një veprimi hetimor nga ana e prokurorit, siç jeni drejtuar me disa pyetje “retorike” në kërkesën tuaj, nuk e ka as viktima e veprës penale, pasi këto lloj pyetjesh cenojnë pavarësinë e prokurorit dhe kompetencat e tij në ushtrimin e ndjekjes penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë drejtuar familjarëve të 3-vjeçarit, Brian Spahiu.
Më shumë se një gafë, duket një skandal i Prokurorisë, e cila për të qenë konform ligjit, mbështetet, duke iu referuar kodit penal, pa marrë parasysh se i mituri në rastin konkret ka humbur jetën.
Sipas ekspertizës mjekoligjore që u bë nga IML, rezultoi se shkak për vdekjen fatale të 3-vjeçarit u bë anestezia, e vendosur në klinikën dentare të mjekut Roland Xhaxho.
Por, Prokuroria e Tiranës kërkoi të bëhej ekspertiza mjekoligjore në Itali, pasi sipas organit të akuzës akti i parë i ekspertizës ishte i paplotë, konkluzioni ishte i pasaktë dhe se mungonin ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet.
3-vjeçari Brian Spahiu ndërroi jetë në reanimacionin e Pediatrisë më datë 1 tetor 2023, tre ditë pas një mjekimi që kreu në 14 dhëmbë në klinikë dentare të mjekut Roland Xhaxho në kryeqytet.
Për vdekjen e vogëlushit, i cili humbi jetën në pediatrinë e QSUT-së, janë nën hetim babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho. Të dy akuzohen për veprën penale të neglizhencës në trajtim mjekësor, që konsiderohet si kundravajtje penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.