Ngjarje

Vdekja e 12-vjeçares shqiptare nga lisharësja në Itali, famulltari dhe kryebashkiaku nën hetim

Gazeta Si - Dhimbje dhe zemërim ka shkaktuar në Itali vdekja e 12-vjeçares shqiptare Alesia Prendi, bijë e një familjeje emigrantësh që jetojnë prej kohësh përtej Adriatikut.

Alesia ishte duke luajtur në një lisharëse pranë shtëpisë në San Pelino, qytezë e Avezzanos në Abruzzo të Italisë, kur struktura e drunjtë u shemb papritur, duke e zënë poshtë të voglën dy ditë më parë.

Edhe pse një infermier që po kalonte rastësisht pranë parkut u përpoq ta ndihmojë, e mitura nuk mundi të shpëtojë.

Tre persona nën hetim

Prokurori i Avezzanos (L'Aquila) ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia për të hedhur dritë mbi përgjegjësinë për vdekjen e vajzës 12-vjeçare.

Sipas shtypit vendas, janë tre të dyshuar: famulltari Don Antonio Allegritti, ushtruesi i detyrës së kryetarit të bashkisë, Domenico Di Berardino dhe arkitekti Antonio Ferretti, referent për Punët Publike në Urbanistikën dhe Trashëgiminë e Komunës së Avezzano. Akuza e Prokurorisë ndaj zyrtarëve publikë, është ajo e vrasjes nga pakujdesia.

Siç raporton gazeta “Il Messaggero”, prokurori publik, Maurizio Maria Cerrato, urdhëroi ekzaminimin e jashtëm të trupit të fëmijës të premten, që iu besua Cristian D'Ovidio.

Famulltari, Don Antonio, u mbyll në një heshtje të dhimbshme. Ai tha se ishte i tronditur dhe po “lutej për familjen” e 12-vjeçares.

Pikat e errëta të ngjarjes

Karabinierët po hetojnë për të sqaruar pikat e ndryshme të paqarta të ngjarjes: si dhe pse struktura prej druri ishte në oborr, duke pasur parasysh gjendjen e saj të përkeqësimit dhe çdo përgjegjësi që lidhet me sigurinë.

Edhe bashkia edhe famullia janë nën hetim. Rezoluta numër 54 e datës 12 prill do të tregonte, në fakt, se famullia i ka dhënë Bashkisë, për gjashtë vjet, përdorimin e disa dhomave të oratorisë për qëllime sociale.

Kontrata nuk i referohet hapësirave të jashtme, për të cilat do të ishte përgjegjësi e famullisë, aspekt që do të jetë objekt hetimi.

Gjithashtu do të jetë e nevojshme të konstatohet se kush ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e fëmijëve, pasi famullia përfshinte një kooperativë.

Provat dhe akuza e nënës

Alessia Prendi shpesh kalonte disa orë në oratori për të luajtur dhe argëtuar me fëmijët e tjerë.

Ende është e paqartë nëse 12-vjeçarja ishte duke u lëkundur në lisharëse apo duke u tërhequr nga litarët e ngjitjes kur struktura u shemb dhe trau e goditi atë. Përplasja ishte fatale për fëmijën.

“Atë qendër e kanë rihapur vetëm që të vdiste vajza ime”, akuzon nëna e 12-vjeçares, siç tregon ata që e njohin dhe e kanë dëgjuar për "Corriere della Sera".

Familja dhe komuniteti në trishtim

Prindërit e Alesia Prendit, presin në aeroportin e Fiumicinos gjyshen e tyre nga babai i ardhur nga Shqipëria. Petriti dhe Eda janë të shkatërruar nga pikëllimi, së bashku me motrën e madhe të Alessias, Julia, 17 vjeçe.

E gjithë qyteza vrapoi përpara ndërtesës dykatëshe në periferi të San Pelinos për të treguar afërsinë me familjen e vajzës, duke pritur që karabinierët e kompanisë Avezzano të hidhnin pak dritë mbi ngjarjen.

Prej disa kohësh në fshat ishte denoncuar gjendja e braktisjes dhe pasiguria e disa strukturave në qendrën e fëmijëve, ku pasditen e së mërkurës ishte një kujdestar i ngarkuar vetëm për hapjen dhe mbylljen e portës.

Megjithatë, ai mund të mos ketë qenë përgjegjës për mbikëqyrjen e zonës ku ndodheshin dhjetëra të mitur, disa të shoqëruar nga prindërit, por shumë të tjerë jo.

Mes tyre Alessia, me babain e saj një kontraktor ndërtimi që punonte në Campolongo, prej nga u kthye menjëherë dhe nëna e saj që punonte gjithmonë në Avezzano.

“Kishin qenë me pushime gjatë verës në Cilento dhe më pas ishin kthyer, por pas pak javësh duhet të kishin shkuar në Shqipëri në shtëpinë e Petritit për dyvjetorin e vdekjes së babait dhe të ishin pranë nënës së tyre, e cila përkundrazi ka ardhur këtu tani pas tragjedisë”, shpjegon një mik i familjes nga Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë