Shendet

Varianti indian më i transmetueshëm dhe më rezistent ndaj vaksinave

Ndërkohë që India ndodhej një muaj më parë në kulmin e betejës me një variant të ri të Covid-19, të shfaqur për herë të parë në vendin aziatik, shumica e ekspertëve europiane u munduan të qetësonin publikun, duke thënë se arsyeja e përhapjes kaq të shpejtë të këtij mutacioni ishte një festival tradicional indian, i cili mbledh cdo vit qindra mijëra besimtarë.

Megjithatë, tani që varianti indian, ose delta siç është emëruar ndryshe nga OBSH-ja, ka mbërritur në Europë, ekspertët kanë zbuluar të dhëna shqetësuese. Vetëm katër javë pas shfaqjes në Mbretërinë e Bashkuar, mutacioni Delta është bërë tanimë varianti dominant në Britaninë e Madhe. Autoritet kanë zbuluar se ky variant është rreth 40% më i transmetueshëm se varianti britanik (Alpha), i cili shfaq për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar dhe mbizotëron tanimë në të gjithë Europën.

"Kjo do të thotë se është më e vështirë, padyshim, të menaxhosh këtë pandemi me përhapjen e variantit të ri Delta," tha sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Përhapja e këtij varianti më ngjitës, që mendohet të jetë përgjegjës për rritjen katastrofike të rasteve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve në Indi javë më parë, ka bërë po ashtu që Mbretëria e Bashkuar të rimendojë strategjinë për heqjen e plotë të masave kufizuese. Hancock, paralajmëroi mes të tjerash se është shumë herët për të thënë nëse masat kufizuese do të hiqen më 21 qershor. "Ne kemi thënë që do t'u japim njerëzve mjaft kohë për t'u përgatitur për 21 qershorin, kur është planifikuar hapi tjetër (për të zbutur masat), dhe ajo që është e rëndësishme është të shohim nëse kushtet që kemi vendosur do të plotësohen", tha Hancock

Sekretari i shëndetësisë zbuloi një tjetër element shqetësues në lidhje me mutacionin e ri, duke thënë vaksinat kundër COVID-19 duket të jenë më pak efektive kundër variantit Delta. Instituti i Shëndetit Publik të Anglisë njoftoi të enjten se ky variant tani është mbizotërues në Britaninë e Madhe, pasi që numri i njerëzve të infektuar është rritur brenda javës nga 5.472 raste në 12.431 të infektuar.

Një studim i fundit në Mbretërinë e Bashkuar për shembull tregoi se një dozë e vaksinave Pfizer-BioNTech dhe AstraZeneca ishin më pak efektive ndaj variantit Delta sesa variantit Alpha, i cili u shfaq për herë të parë në Britani. Hancock shtoi se shumica e të shtruarve në spital nga ky variant ishin midis njerëzve që ishin të pa vaksinuar.

"Shumica e njerëzve që shkojnë në spital me COVID tani janë të pa vaksinuar. Dhe kjo është padyshim, kjo është një sfidë për ta," tha Hancock. "Por është një lajm i mirë për të gjithë ne sepse tregon se vaksina ju mbron të mos shkoni në spital edhe pse mund të mos ju mbrojë nga infektimi."

Shumë vende kanë kufizuar udhëtimet mes frikës se varianti Delta do të përhapet më tej. Ai identifikuar në 62 vende globalisht, sipas azhurnimit më të fundit epidemiologjik të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në Francë, 31 raste të variantit Delta në rajonin jugperëndimor Landes po gjurmohen nga afër nga autoritetet të cilët thanë të premten se kishte më shumë raste pasi jo të gjitha rastet e COVID-19 janë zbuluar në kohë.

Kreu i Shoqatës së Mjekëve në Britaini, Chris Hopson, tha javën e kaluar numri i të shtruarve me variantin Delta po rritet por jo "shumë vrullshëm". Pjesa më e madhe e tyre ndodhen në Bolton, zona e goditur më shumë nga varianti dhe sipas Hopson ishin të rinj.

Megjithatë, një pyetje pa përgjigje deri më tani është nëse ky variant është me vdekjeprurës. Hopson thotë se nga një këndvështrim shkencor, nëse një virus është më i transmetueshëm, ai ka tendencë të jetë më pak i rëndë".

Studiuesit argumentojnë se me kalimin e kohës, viruset tentojnë të shkaktojnë simptoma më pak të rënda tek ata që infektojnë. "Nga pikëpamja e një virusi, ka një avantazh në të qenit më të transmetueshëm, ai infekton më shumë njerëz dhe ka një avantazh për të shkaktuar simptoma më të forta”, thotë mjeku.

Por profesori Rowland Kao i Universitetit të Edinburgut shprehet nga ana tjetër se trajektorja afatgjatë e një virusi është se ai tenton të bëhet më pak vdekjepruës me kalimin e kohës. “Por ne jemi vetëm në fazat e hershme të Covid-19," thotë ai. "Ky virus u përhap praktikisht menjëherë në të gjithë botën në fillim të vitit 2020. Pastaj u vendosën bllokime. “Disa variante mund të jenë më patogjene se të tjerët. Sidoqoftë, në planin afatgjatë, për dy vjet unë pres që virusi të bëhet më pak i rrezikshëm. "

Shkencëtarët thonë se pritet të bëhet e dukshme shumë shpejt nëse varianti Delta është më vdekjeprurës se sa paraardhësit e tij. Shtrimet në spital ka të ngjarë të rriten edhe pse kjo mund të reflektojë vetëm numrin e rasteve në rritje.

"Sidoqoftë, nëse një numër i shtuar i njerëzve duhet të shkojnë në spital për shkak të seriozitetit të simptomave dhe ne zbulojmë se rritja e rasteve nuk vjen thjesht sepse ka më shumë njerëz të infektuar, atëherë po: mendoj se ka vend për shqetësim”, shtoi Kao.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë