Sport

Valieva dënohet me 4 vjet për doping, Rusia humbet të artën olimpike të 2022-shit

Gazeta Si – KAS-i, pas 2 vitesh pritje, ka vendosur të ndalojë patinatoren ruse dhe të anulojë rezultatet nga dhjetori 2021. I takon CIO-s (Komitetit Olimpik Ndërkombëtar) të rishkruajë klasifikimin e garës së Lojërave Olimpike. Titulli shkon për SHBA-të.

Katër vite skualifikim, duke nisur nga 25 dhjetori 2021, si dhe të gjitha rezultatet të pavlefshme për Kamila Valievën. Patinatorja ruse, atëherë 15 vjeç, atë ditë, pas përfundimit të kampionateve kombëtare që sapo kishte fituar, rezultoi pozitive në një kontroll antidoping.

Çështja u bë publike më 7 shkurt, pak orë pas përfundimit të garës në skuadër të Olimpiadës së Pekinit, që u fitua pikërisht nga Rusia, me Kamila Valievën dominuese në individualen e femrave. Pas një kohe të gjatë, 2 vjet, – me medaljet olimpike të asaj gare të padorëzuara, një akt i paprecedentë, – vjen sentenca e KAS-it të Lozanës.

Paneli, duke ndjekur rregulloren antidoping ruse, nuk ka marrë parasysh moshën e sportistes, që është minorene.

Komiteti Ekzekutiv i CIO-s, që do të mblidhet në mars, në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Patinazhit në akull, duhet të përpilojë sërish klasifikimin e garës së Lojërave Olimpike. Medalja e artë, sipas të gjitha gjasave, kalon te SHBA-të, që zunë vendin e dytë, e argjendta shkon për Japoninë dhe e bronzta për Kanadanë.

Valieva, me skualifikimin që përfundon më 25 dhjetor 2025, duhet të marrë pjesë në Milano-Kortina 2026. Do të humbasë ndërkohë titullin europian të fituar në janar të 2022-shit në Talin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë