Organizata Botërore Meteorologjike ka paralajmëruar se vala e të nxehtit në Europë mund të vazhdojë deri në gusht dhe miliona njerëz janë këshilluar nga qeveritë për të treguar kujdes.
Kina theu përkohësisht rekordin e saj për temperaturën më të lartë të të gjitha kohërave të dielën kur regjistroi temperaturat 52.2C në rajonin perëndimor Xinjiang.
Temperaturat në Spanjën jugore të hënën arritën kulmin në 46C. Nxehtësia pritet të intensifikohet në Itali ku parashikohet të arrijnë 46C në Sardenjë dhe Europa Lindore gjithashtu parashikohet të bëhet më e nxehtë.
Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës po i bën valët e të nxehtit më të gjata, më intensive dhe më të shpeshta.
“Moti ekstrem, një dukuri gjithnjë e më e shpeshtë ka një ndikim të madh në shëndetin e njeriut, ekosistemet, ekonomitë, bujqësinë, energjinë dhe furnizimet me ujë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Meteorologjisë, Petteri Taalas.
Ai tha se vendet duhet të shtojnë përpjekjet për të ndihmuar shoqërinë të përshtatet me atë që fatkeqësisht po bëhet normalja e re.
Ai nënvizon urgjencën e uljes së emetimeve të gazeve serrë sa më shpejt të jetë e mundur.
Shkencëtari Frederieke Otto tha se ajo që ne po shohim për momentin është pikërisht ajo që presim në një botë ku ne jemi ende duke djegur lëndë djegëse fosile.
Bota tashmë është ngrohur me 1.1C që nga Revolucioni Industrial kur njerëzit filluan të djegin lëndë djegëse fosile si qymyri, nafta dhe gazi, i cili lëshon dioksid karboni në atmosferë.
Otto thotë se nuk e kemi idenë se si do të duket normalja e re sepse “ne nuk jemi në një klimë të qëndrueshme”.
“Ne do të zbulojmë se si duket klima e re vetëm pasi bota të ndalojë djegien e lëndëve djegëse fosile dhe të kalojë në energjinë e gjelbër”, sugjeron ajo.
Shkencëtarët thonë se Europa në veçanti po ngrohet më shpejt se sa parashikonin dhe çdo gjë tashmë po del jashtë kontrollit.
“Kemi shumë punë për të bërë për të përcaktuar saktësisht se çfarë po ndodh”, shpjegon Otto.
“Vendet janë të papërgatitur për realitetin e nxehtësisë së tepërt”, shpjegon Julie Arrighi, drejtoreshë e Kryqit të Kuq, Britani.
“Nëse nuk jemi gati për vapën e sotme, definitivisht nuk jemi gati për vapën e së nesërmes. Rreziku vetëm sa po rritet”, thotë ajo.
Në Greqi, 1200 fëmijë u evakuuan nga kampet e pushimeve pasi shpërthyen zjarret. Flakët shkatërruan shtëpi në ishullin spanjoll La Palma gjatë fundjavës dhe në Phoenix, Arizona temperaturat mbi 43C kanë vazhduar për 18 ditë. Qyteti ka dhënë ujë dhe peshqir ftohës, si dhe ka hapur qendra pushimi për të ndihmuar banorët të përballen me të nxehtin.
“Këto valë të nxehti janë të frikshme. Ne e dimë se kjo do të jetë vërtet vdekjeprurëse”, i tha BBC-së Hannah Cloke nga Universiteti i Reading, Britani.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



