Nga Gazeta ‘Si’- Pas ultimatumit të qartë të dhënë nga Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Vlorës, të gjithë drejtuesit e drejtorive të varësisë lokale kanë paraqitur dorëheqjen pranë Kryebashkiakut Ermal Dredha.
Burime nga brenda Bashkisë bëjnë me dije se menjëherë pas largimit të Ramës nga ambientet e institucionit të enjten, Kryetari Dredha ka mbledhur të gjithë drejtuesit dhe ka kërkuar zyrtarisht dorëheqjen e tyre.
Ndërkohë, kryeministri ka ngritur dy grupe pune për të çuar përpara procesin e reformimit dhe analizës së thelluar në nivel vendor:
Grupi i parë, i përbërë nga Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu, do të ketë në fokus analizimin dhe vlerësimin e performancës së drejtuesve rajonalë. Sipas Ramës, çdo drejtues që nuk ka kryer detyrën ashtu siç duhet, duhet të japë dorëheqjen, ndërsa zëvendësuesit e tyre do të kalojnë në një periudhë prove tre-mujore për të vërtetuar aftësitë e tyre.

Grupi i dytë, ku bëjnë pjesë Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi, do të analizojë emrat e mundshëm për drejtuesit e rinj të Bashkisë së Vlorës.
Kryeministri ka kërkuar që deri më 15 korrik të përfundojë analiza për të gjithë drejtuesit, si dhe të jenë gati emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet që do të vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.