Bota

Vala ekstreme e të nxehtit thyen rekorde në Europë

Nga Gazeta ‘Si’– Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Europën Qendrore dhe Lindore ka thyer rekorde temperaturash në disa vende, ndërsa thatësira dhe zjarret po ushtrojnë presion të madh mbi infrastrukturën energjetike dhe mjedisin.

Sllovakia, Austria dhe Hungaria regjistruan temperatura rekord. Agjencia Hidrometeorologjike e Sllovakisë njoftoi se në qytetin Dolné Plachtince u shënua temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në vend, 42 gradë Celsius.

Në Poloni, niveli tejet i ulët i ujit në lumin Visla detyroi autoritetet të ndalonin përkohësisht funksionimin e dy termocentraleve me qymyr, Kozienice dhe Połaniec, pasi mungesa e ujit nuk lejonte ftohjen e impianteve.

Si pasojë, sistemi energjetik polak humbi rreth 1.3 gigavat kapacitet prodhues.

Një ditë më parë, kryeministri polak Donald Tusk u bëri thirrje punëdhënësve të marrin masa për mbrojtjen e punonjësve, duke siguruar ujë të ftohtë dhe ambiente me ajër të kondicionuar.

Edhe në Gjermani, temperaturat e larta kanë shkaktuar shqetësim. Aktivistët e klimës protestuan përpara Kancelarisë Federale, duke akuzuar qeverinë për mungesë masash ndaj valës së të nxehtit.

Sipas vlerësimeve të Institutit Robert Koch, rreth 11 mijë e 900 persona kanë humbur jetën këtë verë në Gjermani për shkaqe që lidhen me temperaturat ekstreme.

Në Hungari, kryeministri Péter Magyar njoftoi se një prej turbinave të centralit bërthamor Paks është rikthyer në punë, ndërsa theksoi se konsumi i energjisë duhet të ulet vullnetarisht për shkak të temperaturave të larta.

Ekspertët paralajmërojnë se kriza klimatike po përkeqëson valët e të nxehtit, thatësirën dhe rrezikun nga zjarret.

Sipas të dhënave të European Forest Fire Information System (EFFIS), që nga fillimi i vitit janë djegur rreth 500 mijë hektarë sipërfaqe në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Spanjë dhe Francë. Ndërkohë, në Ukrainë janë djegur edhe 292 mijë hektarë të tjerë.

Në Austri, ku u regjistrua temperatura rekord prej 41.2 gradë Celsius, kushtet që favorizojnë përhapjen e zjarreve kanë arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Edhe në Çeki dhe Sllovaki, autoritetet raportojnë se rreziku nga zjarret ka tejkaluar ndjeshëm rekordet e mëparshme sezonale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë