Analize

Vala e dytë, BE premton se nuk do të lërë asnjë vend në “mëshirë të fatit”

Në fillimet e shpërthimit të pandemisë pranverën e kaluar Bashkimi Europian tregoi se ishte më i përçarë se kurrë, duke braktisur vendet më të prekura si Italia dhe Spanja të cilat ndodheshin në prag të kolapsit të sistemit shëndetësor, duke u zhytur në një luftë për furnizimin me maska dhe respiratorë, duke mbyllur kufijtë dhe duke lejuar vendet anëtarë të vepronin secila në kokë të saj. Kriza më e rëndë pas Luftës së Dytë Botërore e gjeti unionin të ndarë. Por me mbërritje e valës së dytë të pandemisë, Brukseli zyrtar premton se gjërat do të jenë ndryshe dhe se asnjë vend në Europë nuk do të lihet në “mëshirë të fatit”.

Udhëheqësit e BE-së u zotuan të enjten mbrëma për të rritur bashkëpunimin në çdo aspekt të luftës së tyre kundër koronavirusit , duke mbajtur hapur kufijtë, duke përmirësuar testimin dhe gjurmimin e kontakteve, pasi shpesh të infektuarit lëvizin nga një vend anëtar në tjetrin, duke monitoruar kapacitetin e sistemit shëndetësor dhe transferimet ndërkufitare të pacientëve nëse është e nevojshme, si dhe zhvillimin e një plani për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave.

Gjatë një samiti virtual që zgjati plot tre orë, 27 krerët e shteteve anëtare, dhe presidentët e Komisionit dhe Këshillit, folën gjithashtu për "lodhjen" nga pandemia. Madje sisa udhëheqës dukeshin të sëmurë dhe të lodhur edhe vetë.

Ata pranuan njëzëri dështimet e BE-së në muajt e parë të shpërthimit, si dhe për parandalimin e një vale të dytë të pandemisë, duke shprehur vendosmëri dhe që të luftonin nën një front të bashkuar.

"Unë dua të theksoj se e kuptoj se sa të lodhur dhe të shqetësuar janë të gjithë", tha Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në një konferencë shtypi pas samitit virtual të udhëheqësve të BE-së. “Të gjithë po pyesim veten kur do të dalim nga kjo krizë. Por tani është koha për durim, për vendosmëri dhe për disiplinë nga të gjithë ne, nga qeveritë e deri tek secili prej nesh individualisht. ”

Udhëheqësit u mblodhën mes vendosjes së masave të reja të bllokimit në shumë vende, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, si dhe në hijen makabre të një sulmi terrorist në Nisë, në të cilin u vranë tre njerëz, vetëm dy javë pas një mësuesi iu pre koka në një periferi të Parisit. Udhëheqësit filluan takimin e tyre duke publikuar një deklaratë solidariteti duke dënuar sulmet.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ishte kokfortë në kërkimin e masave të forta të kontrollit, dhe veçanërisht e prerë kur tha se liderët e BE-ëë kishin dështuar të parandaloni valën e dytë.

Duke cituar të dhëna specifike se si rastet e reja u rriten në mënyrë eksponenciale, Merkel paralajmëroi kolegët e saj se vjeshta dhe dimri do të ishin më të vështira se vala e parë pranverën e kaluar dhe theksoi nevojën për "masa të rrepta" pavarësisht nga vështirësitë politike.

Ajo u ndal tek masat aktuale të Gjermanisë, duke thënë, "ne duhet t’i kishim marrë më herët." Dhe ajo gjithashtu theksoi nevojën urgjente për të arritur një marrëveshje me Parlamentin Europian për të miratuar buxhetin e rimëkëmbjes prej 1.82 trilionë eurosh, të rënë dakord në korrik.

Por ato që vendosin për politikat shëndetësore janë qeveritë dhe parlamentet e vendeve anëtare, një realitet që shqetësoi Brukselin dhe përpjekjen e tij për të koordinuar përgjigjen fillestare ndaj pandemisë pranverën e kaluar.

Por me rritjen e infeksioneve, udhëheqësit e BE dhe vendet anëtare duket se po arrijnë në një përfundim, duke pranuar se nuk kanë zgjidhje tjetër përveç të luftojnë së bashku për shëndetin e qytetarëve dhe mbijetesën e tyre politike.

Von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Charles Michel paraqitën një sërë hapash që liderët politikë planifikuan të ndërmarrin në muajt e ardhshëm, duke përfshirë testimin më të shpejtë të qytetarëve; përdorim më të gjerë të aplikacioneve të gjurmimit të kontaktev, ndarja e pe të dhënave sidomos mbi kapacitetin e kujdesit spitalor; mbajtja e hapur e transportit rrugor, detar dhe ajor dhe koordinimin e shpërndarjes së vaksinave.

Por udhëheqësit gjithashtu pranuan se shumë gjera ishin jashtë kontrollit të tyre dhe në duart e qytetarëve që u shërbejnë.

"Të gjitha politikat publike që kam përshkruar janë të rëndësishme", tha von der Leyen. “Por gjëja më e rëndësishme është të respektojmë masat e izolimit, për veten tonë, për të dashurit tanë, për miqtë tanë dhe për kolegët tanë. Mbani maskë, shmangni turmat, shmangni kontaktet e afërta dhe shmangni hapësirat e mbyllura. “


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë