Ngjarje

Vaksinat Sinovac mbërritën, por qytetarët në radhë janë të paktë për dozën e dytë

“Më tha doktori që të vija këtu se do më bëjnë dozën e dytë. E bëra dhe tani po iki,” tregon për Gazetasi.al një i moshuar që doli nga qendra e vaksinimit në sheshin “Skënderbej”.
Pas 7 ditësh mungesë të vaksinës Coronavac, në këtë qendër vaksinimi janë të paktë qytetarët që kërkonin të merrnin dozën e dytë, ndryshe nga ditët e mëparshme kur kishte shumë të moshuar që kishin zënë radhë që në mëngjes, ndërsa vaksinat mungonin. Gazetasi.al mësoi së vaksinat janë shpërndarë edhe në qendrat e vaksinimit edhe në qytetet e tjera.
Pjesa më e madhe e qytetarëve që janë në radhë tregojnë se kanë folur fillimisht me mjekun e familjes për të marrë vaksinën. Ndërsa një pjesë e vogël ka ardhur vetë sepse kishte dëgjuar në media.
“Dëgjova në televizor që kishte ardhur vaksina kineze dhe erdha drejt vetë se më kishte kaluar data e dozës së dytë. Duhet ta bëja,” shpjegon një tjetër e moshuar që ishte duke dalë nga qendrat e vaksinimit.
Në radhë duken më të shumtë qytetarët që duhet të marrin dozën e parë të vaksinës.

Ndërkaq mes tyre ka dhe nga ata që janë skeptikë për të bërë vaksinën AstraZeneca. Disa prej tyre që hyjnë dhe i’u thonë që mund të marrin dozën e parë të vaksinës AstraZeneca dalin pa e bërë atë.
“Më thanë të bëj vaksinën AstraZeneca se atë kishin për momentin aty, por do pres të bëj një vaksinë tjetër se atë nuk e besoj. Më mirë vaksinën kineze dhe Sputnik V. Më duken më të sigurta ato,” tregon një tjetër qytetar.

Gjatë ditës së dielë mbërritën 60 mijë doza të tjera të vaksinës Coronavac. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj pritën mbërritjen e vaksinave nga Aeroportin “Nënë Tereza”, e deklaruar se tashmë janë garantuar plotësisht dozat e dyta për qytetarët.
Më tej Ministrja e Shëndetësisë theksoi se do të ulet fasha e moshës dhe do të zgjerohen kategoritë, duke filluar nga vaksinimi për punonjësit e transportit publik.
Ministrja bëri me dije se të hënën vijnë sërish mbi 14 mijë vaksina Pfizer dhe përsëri vaksina AstraZeneca në fund të majit, duke vijuar me kalendarin e vaksinimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë