Shendet

Vaksina, SHBA do ta testojë në 30,000 persona të shëndetshëm

Një kompani amerikane e bioteknologjisë ka njoftuar se ka nisur stadin e fundit të zhvillimit të vaksinës potenciale për koronavirusin. Vaksina e Moderna-s me bazë ARN-në do t’i jepet tashmë rreth 30,000 të rriturve të cilët nuk kanë asnjë sëmundje respiratore të shkaktuar nga koronavirusi i ri.

Testet e radhës, mbajnë emrin COVE, dhe janë të parët që implementohen nën Operacionin qeveritar “Warp Speed”që ka për qëllim të përshpejtojë zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e terapeutikëve dhe vaksinave për Covid-19.

Qeveria amerikane po mbështet projektin e vaksinave Moderna me gati një miliard dollarë dhe e ka zgjedhur atë si një nga të parat që niste testet klinike në njerëz, në shkallë të gjerë. Qëllimi kryesor i studimit do të jetë parandalimi i sëmundjes simptomatike Covid-19, tha ndërmarrja.

Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara po ecin mirë në përpjekjet për zhvillimin e një vaksine. Administrata Trump ka deklaruar Operacionin “Shpejtësia Marramendëse”, një program për mbështetjen e disa operacioneve paralele për zhvillimin e një vaksine me shpresën që brenda muajit janar do të ketë gati për përdorim 300 milionë doza të një vaksine të efektshme dhe të padëmshme.

Shtëpia e Bardhë i ka varur shpresat tek prodhimi i shpejtë i një vaksine si kundërpërgjigje ndaj kritikave se administrata ka dështuar në masë të madhe në përpjekjet për të vënë nën kontroll koronavirusin. Por disa ekspertë të shëndetit publik thonë se mund të duhen vite të tëra për të zhvilluar një vaksinë të sigurtë dhe të efektshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë