Lopët që kullosin prej një muaji në afërsi të institutit të kërkimit shkencor të bujqësisë në Zelandën e Re, AgReasarch, nuk janë si të gjithë kafshët e tjera. Në brendësi të stomakut të tyre po bëhet një eksperiment që mund të ndryshojë rrënjësisht planetin. Disa ekspertë të mjedisit dhe ushqimit mendojnë se është më mirë të rregullosh një problem se sa të shtosh një problem tjetër për të zgjidhur të parin. Ndaj, lopëve në institut u është dhënë një vaksinë kundër mikrobeve të zorrëve që janë përgjegjëse për prodhimin e gazit metan. Krahas dioksidit të karbonit, nga bujqësia gjenerohen edhe dy gaze të tjerë në sasi shumë të mëdha, oksid azotik nga shtimi i mbeturinave në tokë dhe metani. Këto gazra janë përgjegjëse direkt për zgjerimin e vrimës së ozonit dhe efektin serrë mbi planet.

Qëllimi AgReasearch është që të zhvillojë këtë vaksinë, së bashku me metoda të tjera, për të zvogëluar gazin e metanit në ajër (të shkaktuar nga mbarështimi i gjedhëve), duke lejuar kështu konsumimin e mishit dhe bulmetrave nga njeriu. Prej kohësh, bagëtia është vlerësuar si përgjegjëse e 14 për qind të të gjitha emetimeve të gazeve serrë. Në nivel global, bagëtia është përgjegjëse për prodhimin e 3.1 giga ton të dioksidit të karbonit në atmosferë çdo vit, të mundësuar nga shtresat e shumta të gazit të metanit në ajër. Por shkencëtarët e AgReaearch shpresojnë se me anë të kësaj vaksine mund të zvogëlojnë kontributin që jep bujqësia në ngrohjen globale.

Sinead Leahy, një mikrobiologe në AgReasearch e cila aktualisht është në institutin e kërkimeve, tregon se metani prodhohet nga mikrobet që jetojnë në barkun e gjedhëve. Këto mikroorganizma i përkasin një grupi antik të quajtur “arkea” dhe janë të aftë të jetojnë në ambiente ku nuk ka oksigjen. Nëpërmjet një procesi të njohur si fermentim enterik, këto mikrobe zbërthejnë dhe fermentojnë materialet bimore tek kafshët, duke çliruar gazin metan.
“Të kuptuarit se çfarë i bën këto mikrobe të ndryshëm nga llojet e tjera që janë gjithashtu të rëndësishme për tretjen e ripërtypësve, është thelbësore. Përmes hulumtimit tonë ne ishim në gjendje të shikonim llojet e ndryshme të sekuencës së gjenit të mikrobeve dhe të zgjedhim se cilat ishin ato që kishin në përmbajtje molekulën që prodhon metan,” thotë Leahy.

Kjo punë i lejoi ekipit në AgResearch të hartonte në mënyrë sistematike vaksina që duhet të prekte disa mikrobe në të njëjtën kohë.
“Ekzistojnë rreth 12 deri në 15 mikrobe në barkun e lopëve, të cilat jemi përpjekur t’i prekim. Vaksina është krijuar për të stimuluar prodhimin e anti-trupave për këto mikrobeve në pështymën e lopëve dhe është injektuar në ADN e gjedhëve,” thotë Peter Janssen, një tjetër ekspert në AgResearch, i cili ka identifikuar mikrobe të ndryshme që prodhojnë metan tek gjedhët.
Deri më tani janë vaksinuar një numër i vogël i lopëve dhe deleve, por Konsorciumi i Kërkimeve të Gazit të Bimëve Pastorale, fondi kryesor i kërkimit në Zelandë që nga viti 2006, tregon se antitrupat e vendosur nga vaksina kanë paraqitur një ndryshim kohët e fundit në jashtëqitjet e lopëve. Gjithsesi, shkencëtarët mendojnë se duhen ende prova të tjera për të vërtetuar se gjedhët e vaksinuar janë më pak të dëmshëm për mjedisin.

Janssen dhe Leahy nuk janë të parët që përpiqen të bëjnë një vaksinë kundër metanogjenëve (termi për çdo mikrob që prodhon metan). Disa shkencëtarë australianë kryen një studim të ngjashëm në vitin 1990, por rezultoi i pasuksesshëm, ndërsa ekipi i AgResearch ka besim se qasja e tyre, e informuar nga gjenetika, do të japë rezultate më të mira. Por, sipas tyre vaksinimi nuk është ideja e vetme për të pastruar ajrin nga metani. Ashtu si njerëzit, edhe kafshët janë të ndryshëm gjenetikisht dhe kështu Eileen Wall, kryetarja e departamentit të kërkimit në Kolegjin Rural të Skocisë, shpjegon se kjo ofron mundësi për mbarështim selektiv, për kafshët që prodhojnë më pak metan. Ajo e sheh këtë proces si pjesë e një programi të gjerë për shumimin dhe zhvillimin e gjetheve të shëndetshme, duke zvogëluar gazrat serë të përfituar edhe nga mishi dhe qumështi që konsumojmë çdo ditë.

“Gjatë 20 viteve të fundit ne kemi ulur nivelin e metanit që vjen nga gjedhët rreth 20% në Mbretërinë e Bashkuar,” thotë ajo.
Pavarësisht nga mendimet e shumta, një pjesë e ekspertëve mendojnë se ndryshimet gjenetike dhe anti-trupat, janë të rrezikshme gjithnjë dhe kjo do të ndikonte në cilësinë e prodhimeve bujqësore. Jansen nuk mendon kështu dhe shprehet se deri më tani, nuk ka asnjë provë që vaksina mund të dëmtojë gjedhët, por derisa këto qasje të verifikohen totalisht, bota do duhet të presë. /BBC/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




