Shendet

AstraZeneca edhe për të moshuarit 80+. Vaksinimi i mësuesve nis në rrethe. Sot, 9320 doza të Pfizer


Gjatë monitorimit të marrjes së dozës së dytë tek personat në moshën 80-vjeç, mes tyre dhe personalitete, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka shpjeguar se vaksina AstraZeneca do të përdoret edhe për të moshuarit 80+, si pjesë e kategorisë prioritare edhe pse kjo nuk është bërë e ditur më parë nga autoritetet shëndetësore në vendin tonë.
Procesi i vaksinimit te të moshuarit 80+ ka nisur në Korçë, ku kanë mbërritur rreth 2 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.

Ndërkaq ka nisur dhe vaksinimi i mësuesve në Lezhë, ku Ministrja Manastirliu është shprehur se sot mbërrijnë dhe 9,320 doza të vaksinës Pfizer.

Manstirliu shtoi se 38,400 dozat e vaksinës AstraZeneca janë shpërndarë në të gjithë vendin dhe ka filluar procesi i vaksinimit të mësuesve në Lezhë, në Krujë, në Lushnjë, në Divjakë. Ndërsa Kryeministri Edi Rama tha se procesi vaksinimit do të intensifikohet, për të lehtësuar sezonin turistik.

"Qëllimi është që deri në fund të Qershorit ne të kemi shkëputur shumë hallka të zinxhirit të infeksionit, që të kemi sezonin turistik të lehtësuar", tha Rama.


Ministrja shtoi se ka nisur shpërndarja e vaksinave në të gjithë Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, për të vijuar me vaksinimin e mësuesve. Organizimi është me grup shkollash, për të mundësuar vaksinimin e shpejtë në territor të mësuesve.
“Teksa në të gjitha strukturat të vaksinimit të përqendruar jemi duke vijuar me rivaksinimi e stafeve mjekësore dhe të moshuarve, tashmë nëpër shkolla do të vijojmë vaksinimin e mësuesve, duke siguruar edhe lehtësinë e vaksinimit në territor" , tha Manastirliu.
Ndërkaq bëhet me dije se që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 24,887 doza të vaksinës. Janë vaksinuar 18,822 personel shëndetësor dhe staf mbështetës si dhe 5065 të moshuar dhe arsimtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë