Ngjarje

Vaksina anti-Covid, KE jep 70 mln euro për Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian miratoi të hënën një paketë prej 70 milion eurosh për të ndihmuar në financimin e qasjes së Ballkanit Perëndimor në vaksinat COVID-19, të prokuruara nga shtetet anëtare të BE.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi tha se gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka treguar se e trajton Ballkanin Perëndimor si partner të privilegjuar.

“Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke ndërmarrë hapa për të mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin kritik dhe grupet vulnerabël në rajon. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në përfundimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”.

Paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë në mbulimin e kostos së vaksinave për grupet me prioritet në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme të vaksinimit.

Ndërsa BE vazhdon të mbështesë iniciativën COVAX, si dhe qasje të drejtë dhe universale në vaksinat COVID-19, dhe të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar atë, dorëzimi i vaksinave nën atë skemë pritet të fillojë më vonë se fushatat e vaksinimit në BE.

Aksesi në një numër dozash nga marrëveshjet e blerjes së BE do të lejojë që rajoni të fillojë vaksinimet paralelisht me shtetet anëtare të BE.

Ndërkohë, në një postim në rrjetet sociale, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, tha se shuma e akorduar është për të mundësuar fillimin e fushatës së vaksinimit për stafin mjekësor dhe grupet me risk të lartë.

“Gjatë krizës së COVID19 dhe post tërmetit BE ka treguar se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë partnerët e privilegjuar. BE vazhdon të veprojë me këtë frymë edhe në rastin e vaksinës.  70 milion € për të mundësuar fillimin e fushatave të vaksinimit për stafin mjekësor dhe grupet më të ndjeshme sa më shpejt të jetë e mundur me kontributin e drejtpërdrejtë të vaksinave nga Shtetet Anëtare të BE”, shkruan Soreca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë