Nga Gazeta Si- Vajzat në Shqipëri janë më të mira në matematikë, krahasuar me djemtë.
Në tërësi, vajzat në Europë i tejkalojnë djemtë në shumicën e lëndëve, mbarojnë shkollën me nota më të mira dhe kanë më shumë gjasa të marrin një diplomë universitare.
Por një lëndë mbetet problem: në pjesën më të madhe të botës, vajzat mbeten prapa në matematikë. Kjo i largon vajzat nga karriera të caktuara dhe ulë të ardhurat e tyre në të ardhmen.
Nga 73 vendet e ndjekura nga OECD, një ‘grupim’ me vende kryesisht të pasura, vetëm 22 raportojnë rezultate më të mira në matematikë për vajzat sesa për djemtë dhe mes këtyre vendeve është edhe Shqipëria. Vende të tjera janë Britania, Irlanda, Kanadaja, Singapori, Australia, Franca.

Një studim i ri nga Franca tregon se sa herët fillon problemi. I botuar në Nature, revistë shkencore, studimi gjurmoi performancën e 2.6 milion fëmijëve që morën pjesë në EvalAide, një grup testesh gjysmëvjetore.
Kjo u dha studiuesve një masë të progresit akademik gjatë një viti nga fillimi i shkollës (rreth moshës gjashtë vjeç).
Nuk kishte ndonjë ndryshim të qartë në fillim të vitit shkollor: kishte pak më shumë djem midis atyre që performonin më mirë dhe më keq, dhe vajzat ishin njësoj. Por pas vetëm katër muajsh u shfaq një hendek gjinor. Deri vitin tjetër kishte dy herë më shumë djem sesa vajza që performonin më mirë. Ky trend mbeti i qëndrueshëm në të gjitha shkollat shtetërore dhe private, dhe në çdo vit akademik midis viteve 2018 dhe 2021.
Hendeku gjinor ishte më i gjerë midis fëmijëve nga familjet me të ardhura më të larta dhe, çuditërisht, ishte veçanërisht i theksuar në familjet ku të dy prindërit janë shkencëtarë.
Pauline Martinot, autorja kryesore dhe një mjeke me përvojë në neurozhvillim dhe shëndet global, thotë se divergjenca nuk është e nxitur nga aftësia, por nga ankthi. Matematika, thotë ajo, zakonisht mësohet dhe testohet në mënyrë konkurruese dhe nën presionin e kohës, kushte që vajzat janë mësuar t’i kenë frikë.
Studime të tjera e mbështesin këtë. Gratë dhe vajzat shpesh performojnë më keq në testet e matematikës me kohë të caktuar ose konkurruese.
Stereotipet se djemtë janë natyrshëm më të mirë me numrat mund ta përkeqësojnë problemin, duke minuar besimin e mësuesve tek vajzat ose besimin e vajzave tek vetja. Supozime të tilla mund të vijnë edhe nga prindërit.
Dr. Martinot dyshon se efekti është më i fortë në familjet e pasura ku prindërit mund të jenë më të përfshirë në të nxënit e fëmijëve të tyre dhe kështu kanë më shumë gjasa t’ua kalojnë këto pikëpamje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.